Me mbylljen e Botërorit, FIFA do të ndajë shpërblimet në para për skuadrat dhe lojtarët pjesëmarrës.
Brazil 2014 ishte turneu më i kushtueshëm i historisë së Botërorëve, por dhe një nga më fitimprurësit për FIFA-n, që do të shpërndajë një pjesë të fitimeve për protagonistët e tij.
Nga rreth 3 miliardë e 300 milionë euro të arkëtuara nga FIFA nëpërmjet të drejtave televizive, sponsorizimeve dhe akordeve publicitare, vetëm 300 milionë do të shpërndahen si çmime për 32 skuadrat pjesëmarrëse.
Vendi i parë, kampionët e Botës marrin dhe çmimin e parë, 25 milionë euro, 3 milionë euro më tepër nga sa iu paguan Spanjës për fitoren në Botërorin Afrikë e Jugut, transmeton “ss”.
Nënkampionët fitojnë 18 milionë euro, ndërkohë që Holanda e medaljes së bronztë fiton 16 milionë euro, ndërsa Brazili që nuk arriti të ngjitej në pod merr 14.7 milionë euro.
Që nga Afrika e Jugut në Brazil në aspektin e shpërblimeve nuk ka ndryshuar asgjë për skuadrat që arritën në çerekfinale, të cilat përfitojnë nga 10 milionë euro, si dhe për ato që arritën në 1/8 të cilat marrin nga 6.6 milionë euro e po ashtu edhe për kombëtaret që u ndalën në fazën e grupeve që përfitojnë nga 5.9 milionë euro.
Veç të tjerash FIFA do të paguajë nga një bonus prej 1 milionë e 100 mijë eurosh për të 32 skuadrat pjesëmarrëse si dëmshpërblim për kostot e përgatitjes së turneut, udhëtimet akomodimin e të tjera.
Problemet për shpërblimet në drejtim të Federatave amerikane nuk munguan as në këtë edicion, Kameruni shkoi në Brazil me një ditë vonesë, pasi futbollistët refuzuan të niseshin pa u paguar më parë, Nigeria kërcënoi të mos zbriste në fushë për ndeshjen e 1/8 me Francën, pasi nuk kishte marrë ende shpërblimin për avancimin në fazën e ndeshjeve të knock-out.
FIFA ka ndarë veç dhe një fond prej 50 milionë eurosh, si dëmshpërblim për 736 klubet që kishin futbollistët e tyre në këtë Botëror. Çdo klub fiton nga 2 mijë euro për çdo ditë impenjimi në Brazil të një lojtari në pronësi të tij.
Programi i mbrojtjes së klubeve parashikon edhe dëmshpërblimin monetar për skuadrat, futbollistët e të cilave dëmtohen gjatë Botërorit. Barcelona për shembull do të arkëtojë nga FIFA 13.972 dollarë në ditë, për fazën e rikuperimit të Neymar, shumë e cila është përllogaritur mbi bazën e pagës vjetore të futbollistit dhe që aplikohet që pas ditës së 28 të dëmtimit.