Me rastin e 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, ish-ambasadori amerikan në vendin tonë Donald Lu, ka shpërndarë një mesazh urimi.
Përmes një video-mesazhi të shpërndarë nga ambasada e SHBA-së në Shqipëri, zoti Lu shprehet se ka qenë nderi i jetës së tij të shërbejë si ambasador në vendin tonë dhe të japë kontributin e tij për sundimin e ligjit. Donald Lu gjithashtu tregoi historinë prekëse gjtë një feste në Sarandë.
“Gruaja dhe unë udhëtuam në Sarandë për një festë të kulturës amerikane. Ata po festonin kulinarinë amerikane dhe muzikën amerikane, historinë tonë të përbashkët të emigrimit. Një zotëri i moshuar u ngjit në skenë për të treguar historinë e rrugëtimit të të afërmve të tij në SHBA në vitet 1920. Në momentin që ai mbaroi unë shkova për ta falenderuar dhe ai më dha një përqafim të fortë dhe të papritur. Ja fotoja e atij momenti.” tha ish-ambasadori.
Më tej Lu deklaroi: “Urime të gjithë miqve të mi shqiptarë në 30-vjetorin e rilidhjes së marrëdhënieve tona diplomatike. Ka qenë nderi i jetës sime të shërbeja si ambasador nga 2015 deri në 2018. Dhe gjatë atyre viteve kaluam shumë kohë duke punuar me Reformën në Drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe gjuetinë për peshqit e mëdhenj”, u shpreh zoti Lu.
Në video-masazhin e shpërndarë nga ambasada amerikane, Lu shprehet se për sa kohë vendet tona të ekzistojnë, gjithmonë do të ketë një lidhje të veçantë mes popullit shqiptar dhe atij amerikan.”