Rexhepi e quan ofendim iniciativën për shkarkim të Osmanit, Avdyli kërkon largimin e Mustafës
Deputetët e LDK-së, Fatmir Rexhepi, dhe Haxhi Avdyli, kanë reaguar ashpër ndaj propozimit të kreut të kësaj partie, Isa Mustafa, për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares në parti.Teksa Rexhepi e ka cilësuar veprim të pavend dhe ofendues për LDK-në, Avdyli ka thënë se ai që duhet të shkarkohet është vetë Mustafa.
“Jam befasuar. Ishte veprim i pavend. Në momentin kur po ndryshohen shumë punë politike, qoftë në parlament, qoftë në zgjidhjen e çështjeve të mëdha si dialogu dhe tjera të zhvillimit të vendit, me gjet kohë të merresh me këtë punë mendoj se është gabim shumë i madh i kujtdo që e ka iniciuar, kryetarit apo anëtarëve të tjerë të kryesisë. E vlerësoj plotësisht të pavend që përmes e-mailit tregon nivelin ku ka rënë partia”, ka thënë ai për KOHËN duke kundërshtuar kategorikisht idenë për shkarkim të Osmanit.
“Ky është një ofendim i madh, jo vetëm për mua, por për të gjithë anëtarësinë e LDK-së. Kjo s’është në frymën demokratike”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, deputeti Avdyli e ka quajtur absurde dhe ide moniste propozimin për shkarkim të Osmanit. Ai ka thënë se është Mustafa personi që duhet të largohet nga LDK-ja.
“Kjo iniciativë e Isa Mustafës dhe grupit rreth tij është absurde, e pakuptimtë dhe që i përngjan më shumë diferencimit ideopolitik të sistemeve të kaluara. Sepse s’mundet dikush që prej 2013-s kur e ka humb Prishtinën të diferencojë dikë që e ka besimin qytetar. Mendoj se LDK-ja me këtë veprim degradon thellë nga një parti ku është vlerësuar dhe ka pas diskutime e divergjenca në një parti ku vendos lideri, që diferencon, dënon dhe siç ka lajmëruar edhe do t’i mbyllë listat dhe të vendosë çdo gjë sipas kutit të tij. Mendoj se ky veprim i tij nuk do të marrë besimin e Këshillit të Përgjithshëm, sepse aty ka burra e gra të mirë që e duan LDK-në”, ka thënë ai. “Nëse dikush duhet të shkarkohet me vendim të LDK-së është vetë ai, i cili mendon me një qasje të tillë absurde, por sidoqoftë ne do të pranojmë çdo veprim të Këshillit të Përgjithshëm shumë qetë”.
Ai ka thënë se një vendim për shkarkimin e Osmanit “do të bëjë dëmtimin vetëm të grupit në krye të LDK-së, sepse LDK-ja është më e madhe se kreu i saj”.
“Kjo do ta trondiste besimin e njerëzve në LDK dhe do ta jep një goditje të rëndë ndaj besimit të tyre sepse Vjosa Osmani nuk përfaqëson vetveten, por 206 mijë vota të qytetarëve dhe 176 mijë vota persona”, ka thënë Avdyli për KOHËN.
Të dy deputetët kanë thënë se presin marrjen e masave edhe ndaj tyre, për shkak se nuk kishin votuar pro formimit të Qeverisë Hoti.
Rexhepi ka thënë se kjo “s’do të ishte çudi”, ndërsa Avdyli ka thënë se “iniciativa për shkarkim do të prekë të gjithë ata që mendojnë ndryshe sepse po duan një parti ku për të gjithë mendon vetëm lideri e ne jemi vetëm për të ngritur dorën, ku s’kemi të drejtë as të mendojmë, por vetëm të aprovojmë kërkesat e liderit shpirtëror tonit”.
Edhe anëtari tjetër i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Faton Peci, ka dalë kundër propozimit të Mustafës. Ai ka thënë se “tendenca e re mund të përfundojë projektin e quajtur LDK dhe kauzën, Liri, Pavarësi, Demokraci”.
“Edhe 2 orë, deri tek udhëkryqi i madh i LDK-së. Forca kohezive që e mbajti gjallë LDK-në si partinë e parë anti komuniste ishte presidenti Ibrahim Rugova, i cili kultivoi me devotshmëri frymën e tolerancës dhe respektimit të mendimit ndryshe. Paradoksalisht, sot ideja e presidentit Rugova po dhunohet nga ide totalitare që i trishtohen mendimit ndryshe. Kjo tendencë mund ta përfundojë projektin e quajtur LDK dhe kauzën, Liri, Pavarësi, Demokraci. Është në ndërgjegjen e secilit anëtar të LDK-së dhe secilit të përfshirë në struktura drejtuese të vendos se çfarë do të jetë LDK-ja nesër! Një LDK, timoniere dhe bartëse e procesit të konsolidimit të shtetit, apo subjekt që përfundimisht shkëputet nga tradita politike e saj! LDK-ja ka kuptim vetëm si prijetare e demokracisë dhe mendimit ndryshe. Pa këtë atribut, LDK-ja mund të mbetet vetëm e lidhur nyjë dhe në funksion të një grupi të ngushtë, të cilët çdo ditë e më tepër po përfshihen në tendencën e delëdëkizimit! Sot ka nevojë të mbrohet demokracia, të mbrohet LDK-ja dhe të mbrohet konsistenca politike! Sot duhet të mbrohet Kosova, sepse ajo është LDK-ja! Sot votoj kundër shkarkimit, sepse jam kundër diferencimit dhe në mbrojtje të frymës së Rugovës!”, ka shkruar ai në Facebook.
Tahiri kundër shkarkimit të Osmanit: Ky është momenti më i rëndë në histori të LDK-së
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka dalë kundër propozimit për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares së LDK-së. Ai e ka vlerësuar këtë si momentin më të rëndë në histori të partisë.“Lidhja Demokratike e Ibrahim Rugovës nuk e ka pasur praktikë të përjashtojë njerëzit e vet aq më pak, Nënkryetaren e vet, Kandidaten e parë grua për Kryeministre për shkak të mendimit ndryshe. Në ADN e LDK-së është liria e mendimit, liria e individit. Dr. Vjosa Osmani ka mbrojtur parimet për të cilat ka kërkuar besimin e votuesve të LDK. Të gjithë e kemi ditur që Vjosa nuk i ndryshon parimet e saja, të gjithë e kemi kërkuar në krye të listës së LDK dhe të gjithë kemi përkrahur. Sot, si anëtar i KP të LDK, Kryetar i Vushtrrisë e nënkryetar i Degës së LDK-së në Vushtrri, nuk mund të përkrahi përjashtimin e Vjosa Osmanit. Prandaj sapo votova JO”, ka thënë ai, pas propozimit që kreu i LDK-së, Isa Mustafa, bëri për shkarkimin e Osmanit dhe caktimin e Avdullah Hotit në postin e nënkreytarit të partisë.
Tahiri është shprehur se s’po mundet të besojë se “një grup i ngushtë në LDK po kërkon shkarkimin e një gruaje intelektuale”.
“Ky është momenti më i rëndë në historinë 30 vjeçare të LDK. Si qytetarë i Kosovës, anëtar i LDK, si babë i 3 vajzave, nuk po mundem të besoj që një grup i ngushtë në LDK po kërkon përjashtimin e një gruaje intelektuale, parimore e që e ka mbështetjen e anëtarëve të LDK dhe të qytetarëve të Kosovës. LDK që e ka themeluar Ibrahim Rugova dhe intelektualët më të mëdhenj të kohës, është më e madhe e më e fuqishme se ky grup i ngushtë. LDK ka për t’u rikthyer te gjeneza e vet, bashkë me Vjosën e bashkë me ata qe kanë në ADN parimin e lirisë së mendimit”, ka përfunduar ai në postimin e tij në Facebook.