Ish i dërguari special i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka drejtuar kritika për kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, pasi ky i fundit ka thënë se do të shqyrtojë vendimin për vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Kurti gjithashtu ka thënë se do të votojë “pro” për një referendum të mundshëm për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Grenell e ka quajtur Kurtin një anti-amerikan të vërtetë duke thënë se lideri i VV-së ka qenë kundër secilës administratë amerikane duke filluar nga ajo e Bill Clinton, derisa sa i përket bashkimit me Shqipërinë, Grenell ka thënë se ndërkombëtarët nuk e kanë bërë gjithë atë punë për Kosovën që të vijë në pushtet dikush si Albin Kurti e ta shpërbëjë.
Ndaj këtyre kritikave të një-pasnjëshme ka reaguar diplomati gjerman, Ëolfgang Ischinger, i cili i ka kërkuar Grenellit që të ndalojë së ndërhyri në punët e Kosovës, meqë siç ka shkruar Ischinger “mandati i Grenellit ka përfunduar”.
Ischinger ka thënë që duhet lënë kosovarëve të merren me Kosovën. Ndaj këtyre fjalëve të diplomatit gjerman ka reaguar vetë Grenell, duke e cilësuar reagimin e Ischinger si një përpjekje për të heshtur meqë është homoseksual.
Gjithashtu ish-emisari amerikan ka thënë se Ischinger ka bashkëpunuar me rusët dhe iranianët.
“Wolfgang, ju e siguroni jetesën tuaj duke thënë këshilluar për politikën e jashtme. Ju u keni dhënë edhe iranianëve dhe rusëve një platformë që nuk e meritojnë. Mos i heshtni homoseksualët për të marrë pjesë në atë që ju e bëni lirisht. Është homofobike. Jam gjithashtu i lumtur të krahasoj progresin tonë me tuajin çdo ditë!”, ka shkruar Richard Grenell.