Mjeku Pëllumb Pipero ka bërë të ditur se Covid-19 nuk po sillet si virus respirator. Ai tha se ka raste që truri është i pari që goditet nga virusi, duke shkaktuar konfuzion mendor, delir, pagjumësi etj.
“Covid-19 sjell koagulimin e gjakut, shkakton koagola në të gjithë trupin, kjo mund të sjellë infarkt të trurit, zemrës, probleme të mëlçisë. Ca thonë se dëmtimet që le në veshka janë të pariparueshme. Ajo që mund të them është se Covid-19 nuk po sillet si virus respirator.
I pari dëmtohet truri, shkakton konfuzion mendor, të folurit përçart, jep pagjumësi, pra ndodh dëmtim i qelizës së trurit nga virusi. Kemi pasur tre raste pacientësh ku e kemi vërejtur një gjë të tillë, jep dëmtime të qelizave trunore. Kemi 6 apo 7 muaj me këtë virus, nuk dimë për sa kohë organet ngelen të dëmtuara prej tij, nuk dimë edhe nëse lë apo nuk lë imunitet. Duhet të kalojnë 18 deri në 24 muaj që të kemi të dhëna më të qarta”, -u shpreh Pipero teksa ka folur në media.
Edhe në një studim të ekspertëve të “University College” në Londër, të publikuar nga Daily Mail, thuhet se Covid-19 mund të shkaktojë delir, goditje në tru dhe dëmtim nervash te pacientët e prekur.
“Ne kemi identifikuar një numër shumë të madh të njerëzve me inflamacion të trurit. Duhet të jemi vigjilentë rreth këtyre simptomave te njerëzit e prekur nga Covid-19. Duke qenë se sëmundja është e re, ne ende nuk e dimë se cilat janë dëmet afatgjata që mund të shkaktojë koronavirusi. Mjekët duhet të jenë të ndërgjegjshëm për efektet e mundshme neurologjike, pasi diagnostikimi i hershëm mund të sjellë përmirësime të ndjeshme të shëndetit te pacientët”, -thanë ekspertët e “University College” në Londër.