Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se do të merr pjesë në takimin e liderëve ballkanik për të ashtuquajturin Mini-Schengen. Ai tutje i është kundërpërgjigjur reagimeve të shumta kundër vendimit për shuarjen e Task-forcës antikorrupsion, ndërkohë që nuk ka komentuar deklarimet e Donald Trump, se ai bashkë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq janë ‘përqafur dhe puthur’ gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, përcjell Bota Sot.
Ai pas një vizite që i bëri Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, ka thënë se askush nuk duhet të frikësohet nga ky vendim, pasi puna e këtij njësiti do të vazhdojë e paprekur, përfshirë edhe hetimet që kanë pasur. I pari i Ekzekutivit vendor ka bërë të ditur se së shpejti do të bëhet organo-grami brenda Policisë së Kosovës dhe se ushtruesi i detyrës së drejtorit të policisë do të ketë një letër-shkëmbim me Prokurorinë Speciale për bashkëpunimin në luftimin e krim të organizuar dhe korrupsionit.
Hoti ka folur edhe për takimin e nesërm në Bruksel ku tha se do të bisedojnë mbi dëmet financiare shkaktuar Kosovës nga Serbia. Ndërsa përsëriti se tema e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës ende nuk është pjesë e diskutimeve të partnerëve të koalicionit qeverisës.
Hoti nuk komentoi deklarimet e presidentit të SHBA-së, Trump se ai bashkë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq janë ‘përqafur dhe puthur’ gjatë takimit të 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë.