Greva në Rinas, Rama: Organizatorët do kallzohen penalisht, cënohet siguria kombëtare

Kryeministri, Edi Rama, ka reaguar pas bllokimit të punës në aeroportin e Rinasit. Përmes një stausi në Twitter ai akuzon ish-kryeministrin, Sali Berisha dhe Presidentin Ilir Meta që duan mbylljen e aeroportit për të mos ardhur vaksinat.

“Sabotimi i rëndë i aktivitetit të Aeroportit “Nënë Tereza” nuk do të tolerohet! Frymëzuesit e kësaj lëvizjeje të çartur çartiste, Saliu që gjuan me gurë digjitalë dhe Iliri, që hedh gurin e markës “Leshko” dhe fsheh dorën, duan mbylljen e aeroportit për të mos ardhur vaksinat”, shkruan Rama

Më tej Rama tha se organizatorët e grevës do të kallzohen penalisht dhe do të përballen me ligjin pasi cënojnë sigurinë kombëtare.

“Organizatorët do të kallzohen penalisht dhe do të përballen me ligjin, që ndalon rreptësisht ndërprerjen e aktivitetit të kullës nga ana e kontrollorëve! Të tjerët duhet të vendosin menjëherë: O me shtetin në punë o me antishtetin në një proces penal për cënim të sigurisë kombëtare!”, shkruan Rama. /Opinion.al