Gazetari Adriatik Doçi ka bërë të ditura disa çështje që sipas tij do ta çojnë ish-kryeministrin Sali Berisha në përballje me drejtësinë.
Sipas Doçit dosja për Berishën, të cilën e ka edhe Departamenti Amerikan i Shtetit ka fakte përvëluese dhe këtë e di edhe vetë kryedemokrati Lulzim Basha.
Doçi: Kjo është një nga çështjet më të rëndësishme a ka apo nuk ka dosje DASH mbi të cilat vendosi ta shpallte non grata në 19 majit të këtij viti.
Do jap disa fakte madhore që konfirmojnë që dosja jo vetëm ka fakte, por është përvëluese dhe këtë e di edhe vetë Lulzim Basha, i cili një pjesë nga detajet e dosjes ia ka çuar Filip Riker në 30 qershor të këtij viti.
Të gjithë biznesmenët që u kanë dhënë qindra e mijëra euro Shkëlzenit dhe Argitës, për çfarë ia kanë dhënë këto para? Çfarë kanë marrë në këmbim? A ka firmosur Berisha për t’i dhënë licenca, tendera këtyre?
Padyshim që po! I kemi emrat e biznesmenëve që nga Ilir Karçini, i akuzuar për porositje vrasjesh deri tek Damir Fazlliçi. A është një provë korrupsioni kjo? Padyshim që po!
Dhëndri i Berishës me çfarë lekësh i ka ndërtuar 20 kulla në Tiranë? Ku i mori lekët? Erdhi me 40 mijë euro nga Kosova dhe ka ndërtuar 20 kulla te Klubi i Partizanit. Kjo është pyetje që duhet ta shtojë edhe SPAK-u dhe padyshim që është pjesë e dosjes.
Pse të gjithë i telefonuan Shkëlzen Berishës sapo shpërtheu Gërdeci? Është edhe në dosjen e Prokurorisë. Si ka mundësi që Fatmir Mediu i telefonoi direkt Shkëlzenit, sepse Gërdeci ishte një biznes i Shkëlzenit dhe Sali Berishës, ka prova për këtë, pavarësisht se nuk ka vepruar drejtësia deri më sot.
Me çfarë parash e shlyen sot Shkëlzen Berisha kredinë 1.8 milionë euro që ka marrë në vitin 2018 për fabrikën e boronicave që nuk ka asnjë punëtor, ku i merr paratë. Dyshimet janë shumë të forta për pastrim parash.