Revista franceze “Le Canard enchaine” shkruan se Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është i vetmi udhëheqës që luan një lojë të ndershme në Libi, e cila ka qenë skena e një krize të thellë politike dhe të sigurisë për gati një dekadë.
Duke cituar mendimet e ish-diplomatëve francezë, gazeta franceze shkruan në kolonën e djeshme se autoritetet turke nuk po i fshehin qëllimet dhe interesat e tyre legjitime në Mesdhe.
Teksti u botua me titullin “Vetëm Turqia luan një lojë të ndershme në Libi”, e cila është një lloj përgjigje ndaj deklaratës së fundit të Presidentit francez Emmanuel Macron, i cili akuzoi Turqinë se po luante një lojë të rrezikshme në Libi.
“Erdogan është i vetmi udhëheqës i ndershëm që nuk i fsheh qëllimet e tij gjeopolitike, ushtarake dhe energjetike. Kjo vlen për të gjithë Mesdheun, Libinë dhe Qipron“, thuhet në tekst.
Ish-diplomatët francezë pretendojnë më tej se drejtuesi i forcave militante të paligjshme nga Libinë lindore, Khalifa Haftar, pati mbështetjen e Rusisë, Egjiptit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite dhe Francës në luftën për rrëzimin e qeverisë së Unitetit Kombëtar Libian të njohur ndërkombëtarisht.
Në kolonë, ata më tej pretendojnë se qeveria legjitime e Libisë prishi sulmet dhe mposhti militantët e Haftarit falë mbështetjes së ofruar nga Turqia.
Duke kujtuar kërcënimin e fundit të presidentit egjiptian Abdel Fattah al-Sisi me ndërhyrje të mundshme ushtarake në Libi, revista franceze deklaroi se qeveria libiane e kryeministrit Fayez al-Sarraj iu përgjigj ashpër kërcënimit dhe e vlerësoi atë si ndërhyrje në punët e brendshme dhe madje edhe një deklaratë lufte.