Evgjeni Thaçi, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherazi mbesa e presidentit, Hashim Thaçi, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzave nga Specialja për presidentin Hashim Thaçi dhe kreun e PDK-së, Kadri Veseli.
Thaçi ka thënë se UÇK, jo vetëm që ka bërë luftë të drejtë por edhe të pastër, dhe se nuk ka kush që e ndryshon këtë fakt, transmeton Telegrafi.
“Ne fund të fundit, e si do të mund të ishte ndryshe një ushtri e një vendi të dy milionë heronjve. Sa herë që ndodhin mosmarrëveshje mes fuqive të mëdha të botës, në një farë mënyre e gjejmë vetën aty ku ne duhet të shënojmë pikën e kthesës së një marrëdhënie të ndërlikuar politike që ekziston mes atyre që dëshirojnë të dominojnë njerëzimin”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ajo ka thënë se “ne kemi mbijetuar gjeneratë pas gjeneratë, gjithnjë më të fortë”.
“Dje, Kosova u dridh, jo sepse kuptuam se Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte paraqitur pretendimet e saj kundër presidentit dhe kryetarit të opozitës në Kosovë, por sepse ky shantazh politik e amatoresk erdhi pikërisht në kohën kur ne po bëjmë përpjekje për arritjen e një paqeje të qëndrueshme me Serbinë dhe ecjen përpara drejt një të ardhme më të sigurt”.
Thaçi ka thënë se “parimet e drejtësisë ndërkombëtare u shkelen me dy këmbë, që në momentin kur presidenti Thaçi, kryetari Veseli dhe UÇK u gjykuan dhe u njollosën më një deklaratë për media nga institucioni që është i thirrur të ndaj drejtësi sipas procedurave strikte, ligjeve e rregulloreve”.
“Sido që të shkoj rrjedhja e ngjarjeve në vijim, Kosovës i është bërë një dëm i madh të cilin nuk e ka pas borxh. Sot vetëm Serbia mund të gëzohet. Bota dhe njerëzit e civilizuar dhe paqedashëse duhet të ndihen thellësisht të shqetësuar.
Përkundër të gjitha këtyre, një gjë e kemi të qartë: UÇK jo vetëm që ka bërë luftë të drejtë por edhe të pastër. S’ka kush që e ndryshon këtë fakt. Në fund të fundit, e si do të mund të ishte ndryshe një ushtri e një vendi të dy milion heronjve”.