Aktori i njohur i humorit, Ermal Mamaqi duket se ka zgjedhur ta “shlyejë” me punë në komunitet, gjobën e vendosur para pak ditësh nga autoritetet shëndetësore për grumbullime të ndaluara gjatë pandemisë.
Moderatori dhe humoristi i njohur, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kandidatin për deputet të PS, Toni Gogu, e mbyllën me batuta humori sezonin e mbjelljeve në Liqenin e Fjollës në Pezë, ku vetë aktori kontribuoi në mbjelljen e 4 pemëve të reja.
“Pasi është dënuar disa herë me gjoba, Ermali ka marrë vendim që do i shlyejë me punë në komunitet”, bëri shaka Veliaj.
“Sot ai kishte ditën e tij të reflektimit, ndaj mbolli katër pemë, nga 430 mijë që ne kemi mbjellë në 5 vitet e fundit,” vijoi Veliaj.
Por, përtej humorit, kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se kryeqyteti po shkon shumë afër objektivit të mbjelljes së 500 mijë pemëve.
“Sot mbyllim sezonin e mbjelljeve, për ta rihapur përsëri në vjeshtë, kur të nisë sezoni normal i shirave. Kur e filluam këtë histori, kishte shumë cinizëm, si çdo gjë e bukur dhe e mirë që fillimisht sulmohet, pastaj mbështetet. Dua që në fund të këtij misioni të thuhet se “u kapën gjysmë milionë pemë, sa ishte misioni i fazës së parë të “Pyllit orbital””, tha kryebashkiaku i Tiranës.
Aktori mjaft i dashur i humorit, Ermal Mamaqi u shpreh i lumtur për përmirësimin e dukshëm të jetesës në Tiranë.
“Jam i lumtur kur ndihmojmë në promovimin dhe shpërndarjen e kësaj fryme të re që është krijuar. Ky është një përmirësim që po i bëhet jo vetëm kësaj zone. Unë kam një shprehje që më pëlqen shumë, që thotë: “nëse nuk po përmirësohesh, po përkeqësohesh”. Nëse një ditë nuk bëjmë një gjë më mirë, patjetër kemi bërë diçka më keq. Jam i lumtur që çdo ditë shoh që bëhet më mirë,” u shpreh Mamaqi.
Në Liqenin e Fjollës, në fund të janarit nisi mbjellja e mbi 10 mijë fidanëve lajthi, pishë, akacie, rrap, ligustër në një fushatë masive për pyllëzimin e zonës një tjetër destinacion i ri turistik në kryeqytet.