Turqia është duke e shqyrtuar seriozisht bashkëpunimin më të madh me Rusinë edhe në industrinë e mbrojtjes.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se do të bashkëpunojë me Rusinë për aeroplanët luftarakë dhe nëndetëset, përkundër paralajmërimeve për sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas kthimit nga Rusia, ku është takuar me presidentin Vladimir Putin, Erdogan ka thënë se ka propozuar bashkëpunim me shtetin rus rreth ndërtimit të dy termocentraleve bërthamore, ndërkaq ka shtuar se homologu rus e ka këshilluar për ndërtimin e platformave për lansimin e raketave.
Turqia gjatë vitit 2019 bleu sistemin mbrojtës rus S-400, duke ngjallur pakënaqësi te SHBA-ja dhe NATO-ja.
Kur Erdogani deklaroi gjatë javës së kaluar se do të blejë edhe sisteme të tjera mbrojtëse S-400, Washingtoni tërhoqi vërejtjen se Turqia do të përballet me masa të reja.
Erdogani ka thënë se shteti i tij nuk do të tërhiqet nga sistemi mbrojtës rus dhe se do të vazhdojë bashkëpunimin me Putinin për projekte të tjera.