Epidemiologu Artan Simaku tha se në Shqipëri koronavirusi është drejt zhdukjes. Mjeku shpjegoi se piku është arritur kur është regjistruar edhe numri më i madh i të shtruarve në spital, treguesi kryesor që përcakton epideminë.
Dr. Simaku theksoi se pavarësisht se do të shkojë drejt shuarjes virusi qarkullon në popullatë, 80 për qind e të cilëve e kalon pa shenja por moshat e tretë vijon të mbetet po njësoj e rrezikuar për shkak të sëmundjeve bashkëshoqëruese ndaj këta të fundit duhet të vazhdojnë karantinimin.
“Jemi drejt shuarjes natyrale të epidemisë dhe pritet që me lehtësimin gradual të masave të ketë një numër të vogël, por të qëndrueshëm të rasteve. Personat që janë asimptomatikë e transmetojnë sëmundjen 2 herë më pak dhe siç është thënë, lehtësimi i masave do të shoqërohet me shtimin e masave mbrojtëse si distanca fizike, përdorimi i maskave dhe dorezave”, tha mjeku për Euro News.
“Distancimi fizik dhe social duhet të vazhdojë. Mosha e tretë është më e rrezikuara, pasi virusi vazhdon të qarkullojë, ndaj ata duhet të vazhdojnë karantinimin. Dhe popullatat duhet të ketë kulturën e distancimit. Virusi qarkullon në popullatë, por 80 për qind e kalojnë pa shenja. Rastet me shenja janë drejt rënies, nga hetimet që kryhen në të gjitha vendet kryhet dhe gjurmimi i kontakteve të mundshme për të ndërprerë zinxhirin e infeksionit”, sqaroi epidemiologu.