Ka marrë miratimin e parlamentit ligji që i hap dritën jeshile negocimit të kontratës përmes procedurës së veçantë me kompaninë amerikane Bechtel International për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.
Sipas ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, investimi për këtë vepër madhore energjetike pritet të arrijë në rreth 550 milionë dollarë.
Sa i takon burimit të financimit, ministrja Balluku tha se qeveria sëbashku me kompaninë Bechtel po punon për sigurimin e fondeve që do të bëjnë të mundur realizimin e këtij projekti.
“Ne jemi duke punuar me kompaninë amerikane Bechtel International që të gjejmë edhe fondet për financimin e kësaj vepre madhore. Jemi duke u konsultuar. Faza e parë e kontratës do të mbulohet nga KESH, ndërsa jemi duke kërkuar për një burim financimi për fazën e dytë, atë të ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës.”
Referuar ligjit të votuar sot në parlament, kontrata është parashikuar të ndahet në dy faza, ku në fazën e parë përfshihet studimi i detajuar mbi projektin dhe paraqitja e një propozimi konkret nga kompania Bechtel tek autoriteti kontraktues, ku financimi do të mbulohet nga KESH.
Ndërsa faza e dytë e kontratës konsiston në projektimin dhe ndërtimin e kësaj vepre energjetike, që pritet të ulë ndjeshëm varësinë nga importi I energjisë elektrike si dhe t’i japë fund problematikës shumëvjeçare të përmbytjeve në zonën e fushë Shkodrës.