Gazetari dhe analisti Dritan Hila, i është përgjigjur ish-kryeministri Sali Berisha lidhur me një foto me mbishkrimin ” Disa nga tentakulat mafioze te narkoshtetit mbi mediat.
Ai shkruan se Berisha ka zgjedhur të koritet i ri duke i vënë flakën vendit, e në pleqëri, duke u marrë me gra.
Dritan Hila shkruan:
“Berisha sot është marrë me mua dhe motrën time e cila punon në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave si dëshmi e lidhjes time me Ramën.
Doktor, motra ime ka filluar punë në dogana pasi ka fituar konkursin në vitin 1999 që e organizonte KAM Albania, misioni i BE pranë doganave shqiptare që ishin bërë fije fije nga ‘97-ta jote.
Është një grua që e përballon e vetme jetën duke vuajtur shpesh veprimet e vëllait me të cilin nuk bashkëjeton prej 20 vitesh, veprime për të cilat zarat e tu, nuk nguronin të hakmerreshin.
Unë nuk jam marrë asnjëherë me jetën e fisit tuaj, gruas tuaj, fëmijëve apo nipave e mbesave pasi e quaj paburrëri.
Në profesionin tim ndjek interesin publik dhe kjo më ka bërë të përplasem me ju, Metën, Ramën dhe mesa duket rishtas po kërkoni sherr pasi jeni me parimin “O me mua o kundër meje”.
Doktor, nga anët e tua thonë që “burri ka kohë me u korit”. Ti ke zgjedhur të koritesh në të ri duke i vënë flakën vendit, e në pleqëri, duke u marrë me gra.” – ka shkruar Hila.