Kandidati për Kryeministër të parë Shqiptar, Naser Ziberi, sot në parkun e Çairit prezantoi zotimin e tij për 100 ditët e para si Kryeministër.
Ai sot iu drejtua pensionistëve duke e sjellë në pah vlerën e të gjitha nënave dhe gjysheve të cilat me shumë mund kanë kontribuuar për ngritjen e kësaj shoqërie dhe njëherit të cilat deri më tani nuk kanë pasur një të ardhur si pension për arsye se puna e tyre nuk ka qenë kurë zyrtare.
“Unë si Kryeministër i parë Shqiptar dua të sigurohem që edhe ato që kurë nuk kanë pasur një punë zyrtare por kanë kontribuuar në mënyrë të barabartë e madje edhe më shume se sa dikush prej nesh, të mos lihen me duar të zbrazëta. Unë po flas për ato të cilat shpesh harrohen.
Unë po flas për nënat dhe gjyshet tona të cilat na kanë rritur dhe na kanë mbështetur gjithnjë, dhe nuk marrin pension shtetëror sepse puna e tyre nuk ka qenë kurë zyrtare”- theksoi Ziberi, duke shtuar se një nga veprimet tij të para si Kryeministër do të jetë vendosja e një pensioni shoqëror për të gjitha gratë që nuk kanë të drejtë për pension pune.