Diplomati Shaban Murati, ka thënë se që shqiptarët nuk janë trima, por frikacakë, e ka dëshmuar fakti që kur përkujtohen ngjarje të rëndësishme të historisë së luftërave të popullit shqiptar kundër pushtuesve serbë dhe grekë udhëheqësit më të lartë të shtetit shqiptar kanë frikë të thonë se kundër kujt luftuan.
Po ashtu, ai ka shkruar në Facebook, se nuk ndodh kjo me asnjë shtet dhe me asnjë popull tjetër, që të ketë frikë nga kujtesa e vet historike.
Postimi i plotë:
“Që shqiptarët nuk janë trima, por frikacakë, e dëshmon fakti që kur përkujtohen ngjarje të rëndësishme të historisë së luftërave të popullit shqiptar kundër pushtuesve serbë dhe grekë udhëheqësit më të lartë të shtetit shqiptar dhe të qeverisë shqiptare në fjalimet e tyre ceremoniale të rastit kanë frikë të thonë se kundër kujt luftuan dhe e mbrojtën atdheun shqiptarët dhe nuk i përmendin me emër as pushtuesit serbë dhe as pushtuesit grekë. Dhe që frikacakëria është sëmundje kombëtare e dëshmon fakti që edhe në disa memoriale për masakrat greke në Jug dhe masakrat serbe në Veri nuk shkruhet kush i vrau dhe kush i masakroi banorët shqiptarë. Nuk ndodh kjo me asnjë shtet dhe me asnjë popull tjetër, që të ketë frikë nga kujtesa e vet historike.”-përfundon ai.