Nga: Naser Pajaziti
Shqiptaro – arbëreshi Joe DioGuadi, një kolos dhe lobues i madh për shqiptarinë në SHBA sot mbushi 80 vjet. Kjo ditëlindje akoma e gjen në frymën dhe gatishmërinë e njejtë për të lobuar e kontribuar për çështjen shqiptare në Ballkan.
Por, ai sot e disa vite është lënë në harresë, pikërisht nga kastat shtetërore në Tiranë, Prishtinë, Shkup e më gjerë.
Edhe në këtë përvjetor, klika politike dhe kasta shtetërore shqiptare nuk pati as edhe një pikë respekti dhe fytyre, për t’i shkruar dy rreshta për të përcjell një urim për ditëlindjen.
Këtu hyjnë thuajse të gjithë, përfshirë edhe ata që nuk hezitojnë fotografitë e fotosesionet kur shkojnë në Uashington e Nju Jork.
Joe (Xhoj) si e quajnë bashkëpunëtorët e tij të Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane (LQSHA) në Amerikë është personi “non grata” nga institucionet, qeveritë dhe shumica e partive politike shqiptare. E ndërsa në anën tjetër, ai është njeriu për të cilin në çdo kohë janë të hapura dyer në Uashingtonin famëlartë, aty ku vendoset për fatin global.
Por Joe-n nuk e duan, sepse ai kastën politike të dekadave dhe të viteve të fundit në shtetet e trevat shqiptare i quan të korruptuar, hajna, tradhëtar dhe njerëz mashtrues që nuk kanë ideal e mision kombëtar. Misionin e tij në forma të ndryshme propaganduese gjithnjë tentojnë ta nxijnë kjo kastë politike, që sot pothuajse e gjitha është në shërbim të klikave të interesave politiko – mafioze ballkanike, e zhytur në korrupsion, por e mbështjellur me fasadën e integrimit, bashkëpunimit, bashkim – vëllazërimit, etj.
Edhe në këtë 80 vjetor arbëreshi që frymon dhe vepron shqip mbetet një simbol i çështjes kombëtare. Ditëlindja e tij po kalon me urime të përzemërta nga njerëzit e afërm të tij dhe bashkëpunëtorët që gjithmonë i qëndruan në krah, aktivistët e komuniteteve shqiptare në të gjitha anët e Amerikës.
Por kjo figurë e kohës, që nuk po i’a dijmë dhe një ditë nuk do ta kemi, në kohërat më të vështira për popullin tonë në Ballkan, sidomos në Kosovë, Maqedoni e trevat e tjera bëri që të hapet dosja shqiptare në Uashington, në institucionet më të larta Kongresin dhe Departamentin Amerikan të Shtetit.
Misioni i tij është i pamposhtur dhe se ai përkundër sfidave dhe beteja të ndryshme vazhdon betejën duke qenë një gardian i çështjes sonë ende të pazgjidhur në Ballkan, ku ende ka vatra të pambyllura dhe probleme që nxiten nga fqinjët.
Ai gjithnjë nuk harron dhe e rikujton amanetin e babait të tij – “Kudo që jeni dhe të punoni në Amerikë, mos harroni tokën dhe popullin shqiptar”.
Biografia e kolosit të madh
Joseph J. DioGuardi lindi më 20 shtator të vitit 1940, është politikan amerikan me origjinë arbëresh-shqiptare nga Italia (Katundi, Kampanja). DioGuardi është një nga politikanët me peshë në administratën amerikane dhe Kongresin Amerikan.
Ai ishte kongresmen në kongresin e Shteteve Bashkuara të Amerikës. Ai vjen nga një familje e ushtarëve të Skënderbeut të cilët kishin ndihmuar Mbretërinë e Napolit më 1461.Në nëntor 1984, ai u zgjodh në Kongresin Amerikan. U ri-zgjodh në vitin 1986, duke qenë kështu anëtar i Kongresit në periudhën 1985-1989. Ne 1986 sëbashku me Kongresmenin Demokrat Mickey Leland, DioGuardi inicioi legjislacionin për t’i dhëne Medaljen e Nderit heronjve ushtarake zezake të Luftës së Parë dhe të Dyte Botërore, gjë që u ishte mohuar për arsye raciale.
Avokati i çështjes shqiptare
Pasi la Kongresin në 1989, ai ka bërë të paktën 20 vizita në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Si president i Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane (Albanian American Civic League), ai dhe Kongresmeni Tom Lantosh në maj 1990 bënë një vizite historike në Kosovë dhe në Shqipërinë që akoma nuk kishte dalë nga komunizmi.
Gjatë takimit me presidentin e atëhershëm Ramiz Alia, ky i fundit i dorëzoi Tom Lantosh-it një dosje të trashë me dokumente sesi shqiptarët shpëtuan qindra hebrenj gjate luftës së Dytë Botërore. Tom Lantosh (vetë me origjinë hebraikë) dhe DioGuardi i dërguan dokumentet në Izrael, ku u certifikua vërtetesa e tyre. Dhjetëra shqiptare kanë marrë titullin Righteous Among the Nations nga shteti izraelit që u jepet atyre që shpëtuan hebrenjtë gjatë luftës së dytë botërore.
Një film dokumentar për shqiptaret që shpëtuan hebrenjtë është realizuar nga Norman Gershman.Në gusht 1990 DioGuardi ishte iniciatori i vizitës së Bob Doll (Bob Dole), (kandidat për President i SHBA në 1996) dhe gjashtë senatorëve të tjerë të senatit të ShBA në Kosovë.
Në qershor 1997, DioGuardi kryesoi një delegacion për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri.Me kërkese të Kongresmenit Dana Rohrabacher në gusht 1998 ai udhëtoi në viset veriore të Shqipërisë për të vlerësuar krizën humanitare si rezultat i luftës në Kosovë.Vizitat e tij në trevat shqiptare në Ballkan ishin rralluar, por ai ishte zëri i fuqishëm i çështjes shqiptare në Kongresin Amerikan dhe administratën amerikane. Pas luftës së vitit 1999 ai u zhgënjye nga shumë udhëheqës politik në Kosovë, Maqedoni dhe trevat e tjera për shkak të lidhjeve të tyre me korrupsionin dhe krimin.
DioGuardi gjithmonë ka qenë avokat i vërtetë që në Kongresin Amerikan ka ngritur çështjen shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe Çamërinë.
Ai është një nga lobistët e fuqishëm në SHBA dhe se gëzon miqësi dhe respekt të madh mes shumë kongresmenëve amerikan nga radhët e republikanëve.