Kryetari i Ligës Shqiptaro-Amerikane, Xhozef Diogardi, më shumë se 30 vite është në shërbim të kauzës shqiptare dhe nga shumë personalitete njihet si njeriu i cili ia hapi dyert çështjes shqiptare në qarqet e larta politike në Uashington.
Edhe në kohën kur ishte Kongresmen edhe më vonë, preokupim i tij ka qenë zgjidhja e çështjes shqiptare në Ballkan. Këtë aktivitet të palodhshëm ai e vazhdon sot e kësaj dite me porosinë se duhet akoma shumë punë.
Ai përmes një letre të hapur ka përshëndetur protestën e djeshme të koalicionit ASH-AAA në Shkup, duke e vlerësuar si të suksesshme dhe si protestë që do të alarmojë bashkësinë ndërkombëtare për vjedhjen e zgjedhjeve të shqiptarëve që ndodhi më 15 korrik.
“Shkupi i stolisur Kuq e Zi më bëri krenar dje mua dhe gjithë atyre që ia duan të mirën shqiptarëve. Marshi për Demokraci ishte një protestë madhështore që tregoi se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk pajtohen me vjedhjet dhe manipulimet zgjedhore që kanë ndodhur më 15 korrik. Mbushja e kutive, blerja e votave, votimi në emër të personave të vdekur, ose personave që janë jashtë vendit është skandal që nuk mund ta pranojë bashkësia ndërkombëtare. Organet kompetente në Maqedoninë e Veriut duhet ti zbulojnë dhe ti sanksionojnë këto parregullsi, një pjesë e të cilave janë përmendur edhe nga misioni i OSBE-së, që këto zgjedhje ishte e detyruar t’i monitorojë me ekip të reduktuat shkaku i pandemisë. Në vendet ku pati vjedhje dhe parregullsi, zgjedhjet duhet të përsëriten, përndryshe Maqedonia e Veriut mund të përballet me probleme në rrugën drejt BE-së”, shkruan mes tjerash ish kongresisti, Diogardi, në letrën që e publikoi miku i tij, veprimtari Ylber Pilku.
Diogardi poashtu apelon që shqiptarët në Maqedoni të vazhdojnë me protestat dinjitoze deri sa të plotësohen kërkesat e tyre.
“U bëj apel shqiptarëve edhe në Maqedoninë e Veriut edhe në diasporë, kudo që janë të vazhdojnë të protestojnë dhe assesi të mos lejojnë të shkelet e nëpërkëmbet vullneti i tyre. Në një vend që është anëtarësuat në NATO, protestat demokratike kundër vjedhjes së votave janë e drejtë bazike për ndërtimin e një shoqërie të barabartë”, shkruan në fund Diogradi, duke e përmbyllur letrën e tij me slloganin tashmë të njohur “Zgjedhje po, vjedhje jo!”.