Reporteri legjendar Carl Bernstein, ka publikuar në CNN një shkrim me akuza tronditëse për presidentin Donald Trump. Ai pretendon se ka siguruar disa transkripte të bisedave të Donald Trump, me liderët kryesorë të botës.
Në këto biseda, raportohet se Trump ka veç lëvdata për Vladimir Putin dhe madje edhe i serviloset këtij të fundit, duke kërkuar me çdo kusht miratimin e këtij të fundit.Dhe në momentin kur një prej këshilltareve i kujton se kush është Putin, një ish-spiun i regjur i KGB-së së famshme, Trump e injoron, duke dëgjuar më shumë këshillat e së bijës dhe dhëndrit të tij.
Tronditëse ndërkohë, janë telefonatat e tij me Angela Merkel.Në një prej tyre, Trump e quan atë budallaqe, çka ka çuar në acarimin dhe praktikisht prishjen e marrëdhënieve të SHBA-së me Gjermaninë.
“Disa nga gjërat që ai i tha Angela Merkel janë thjesht të pabesueshme: ai e quajti atë” budallaçkë “dhe e akuzoi atë se ishte në xhepin e rusëve,” bën me dije një burim.
Ndërsa ish-kryeministren britanike Theresa May, Trump e ka cilësuar si një politikane shumë të dobët, gjatë një telefonate që ka pasur me të.
Ai ndërkohë, iu është mburrur për pasurinë e tij, Kim Jong-ut të Koresë së Veriut dhe Mohamed bin Salman të Arabisë Saudite. Trump ka pasur kontakte të shpeshta dhe të ngushta edhe me Erdogan, por punonjësit e Shtëpisë së Bardhe u alarmuan pasi agjentët turq të sigurisë në Uashington po ndiqnin lëvizjet e Trump në mënyrë që Erdogan të dinte se kur të telefononte.
Në bisedat e tyre, Erdogan shfrytëzoi mungesën e njohurive të Trumpit për Lindjen e Mesme dhe e përdori atë. I vetmi moment kur Trump është acaruar me Erdogan, është për arrestimin e një pastori amerikan në Turqi, që më pas u lirua.
Në shkrimin e Carl Bernstein thuhet se Trump dëgjon vetëm të bijën, Ivanka Trump dhe burrin e saj, këshillat e të cilëve janë të dobëta. Ky raport tronditës është një goditje e fortë për Trump, në prag të zgjedhjeve për president, pas librit të ish-këshilltarit të tij të Sigurisë, John Bolton.