Cikloni i fuqishëm nga Deti Tiren dhe Italia jugore tanimë gjendet në Detin Jon dhe po kushtëzon reshje të reja shiu e bore në viset e larta malore. Cikloni për momentin ka “ngecur” në Detin Jon dhe po shkakton reshje intensive në Maqedoninë Veriore dhe disa vise të Kosovës dhe Shqipërisë. Reshje dhe stuhi shumë më të fuqishme dhe intensive po ndodhin në Greqi dhe Bullgari ku priten edhe vërshime dhe erëra të fuqishme.
Shumë shpejt cikloni pritet të fillojë rrugëtimin e tij drejt Greqisë dhe Detit të Zi duke lëshuar rrugë më në fund masave të thata ajrore anticiklonike që priten nga e diela dhe java tjetër. Të dielën ky ciklon pritet të jetë diku mbi Gjeorgji dhe Azi, ndërsa mbi vendin tonë do të vendoset një masë krejtësisht stabile ajrore anticiklonike.
Pasi që cikloni ka ngecur pak më gjatë në Detin Jon se që ishte paraparë njëkohësisht janë shtuar edhe reshjet atmosferike dhe për këtë arsye që nga nata e mbrëmshme dhe paraditja e sotme ka reshje të pandërprera shiu në shumë rajone, por jo në krejt territorin. Reshje priten edhe më tutje deri në mbrëmje dhe eventualisht vende-vende edhe nesër, por nuk ka asgjë për tu shqetësuar ose ndonjë rrezik nga vërshime eventuale.