Skënder Brataj së fundmi ka qetësuar qytetarët duke thënë se ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për praninë e variantit indian të virusit në vendin tonë. Ai u shpreh se kjo gjë nuk do të mbahet e fshehtë ndërkohë që dha edhe disa detaje të tjera.
Brataj tregoi se shenjat e variantit ‘Delta’ janë të ngjashme me ato të një gripi të zakonshëm por ky variant përhapet shumë më shpejt. Ndërkohë ai shtoi se personat që kanë rrezikun më të lartë të infektimit, janë ata nën 30-vjeç.
“Nuk ka njoftim zyrtar për variantin Delta. Shenjat e variantit Delta janë pak të ngjashme me gripin. Fakti negativ është se shpërndahet shumë shpejt. Madje, ka prekur më shumë moshat nën 30 vjeç. Çdokush që ka simptoma, duhet që të kërkojë ndihmë fillimisht tek mjeku i familjes. Virusi po merr përmasa tani. Nuk mund ta mohojmë faktin se mund të jetë prezent edhe në Shqipëri. Në vendin tonë ka pak raste, ndodh edhe sepse njerëzit gjejnë format e veta për të shëruar koronavirusin, sipas udhëzimeve që janë dhënë”, tha Brataj.