Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Joseph Borrell ka ndryshuar qëndrim sa i përket aksionit të policisë së Kosovës në komunat veriore ku u goditën grupe kriminale të krimit të organizuar. Ai pas aksionit i kishte quajtur ato “të njëanshme dhe të pakoordinuara”, duke thënë se rrezikojnë stabilitetin.
Por, krejt ndryshe ka deklaruar Borrell pas takimit që pati me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken. Në një komunikatë të përbashkët për media thuhet se e mbështesin angazhimin e Kosovës për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, e gjithashtu kanë dënuar dhunën ndaj civilëve, gazetarëve dhe policisë.
“Theksojmë rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE, i cili është mekanizmi kryesor për të adresuar normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Pas javëve të fundit të tensionit në veri të Kosovës, ne inkurajojmë të dyja palët që të angazhohen në de-përshkallëzim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm dhe të shmangin veprimet që kërcënojnë stabilitetin. Ne mirëpresim dhe mbështesim angazhimin e Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe ritheksojmë se dhuna kundër civilëve, gazetarëve, policisë ose autoriteteve të tjera është e papranueshme.”, thuhet në komunikatën e përbashkët.
Krejt ndryshe kishte reaguar Borrell pas aksionit, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende nuk kishin dalë me qëndrim ndaj kësaj çështjeje.
“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Aksionet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme”, kishte shkruar Borell më 13 tetor 2021.
Në anën tjetër, në këtë komunikatë gjithashtu është folur edhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian si mundësi për rritje të stabilitetit dhe kanë inkurajuar hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Pas takimit të fundit midis Përfaqësuesit të Lartë të BE Josep Borrell dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në javën e kaluar në Washington, BE dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord të forcojnë më tej angazhimin e tyre të përbashkët në Ballkanin Perëndimor në mbështetje të përparimit të rajonit në rrugën e tij europiane. Ne nënvizojmë mbështetjen tonë të plotë për procesin e zgjerimit të BE-së. Pranimi në BE, një përparësi e deklaruar për të gjithë Ballkanin Perëndimor, ndihmon në konsolidimin e institucioneve demokratike, në mbrojtjen e të drejtave themelore dhe në avancimin e sundimit të ligjit. Ky rajon i përket Bashkimit Evropian. Integrimi më i ngushtë do të rrisë stabilitetin dhe do të kontribuojë në prosperitetin e njerëzve të rajonit. Në këtë kontekst, ne theksojmë se negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të fillojnë pa vonesë.”, thuhet në komunikatë.
Gjithashtu në këtë komunikatë thuhet se BE dhe SHBA mbështesin integritetin territorial në Bosnje e Hercegovinë, njëlloj siç mbështesin reformat dhe funksionimin e institucioneve shtetërore atje. Poashtu, i kanë bërë thirrje forcave politike të Malit të Zi të punojnë për të ruajtur orientimin strategjik që reflekton dëshirën e popullit të Malit të Zi.
“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë bashkë në mbështetjen e tyre të fortë për integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës si dhe punën e tyre të përbashkët për të promovuar reformën zgjedhore dhe kushtetuese dhe për të ruajtur funksionalitetin e institucioneve të saj shtetërore. Ne kemi shqetësime serioze për retorikën gjithnjë e më përçarëse në Bosnje dhe Hercegovinë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të respektojnë dhe mbrojnë institucionet shtetërore, të rifillojnë dialogun konstruktiv dhe të ndërmarrin hapa për të çuar përpara përparimin në rrugën e integrimit në BE – përfshirë reformat përkatëse. BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë gati të lehtësojnë këto hapa. Ne i bëjmë thirrje të gjitha forcave politike në Mal të Zi që të punojnë së bashku për të ruajtur një orientim strategjik që reflekton dëshirën e popullit të Malit të Zi për të arritur reformat e nevojshme për t’i bërë realitet shpresat e tyre për një të ardhme në BE.”, thuhet në këtë komunikatë.
Aksioni i forcave të Policisë së Kosovës në komunat veriore ku u goditën grupe të krimit të organizuar dhe korrupsionit u komentua shumë, derisa indikacionet e para të Bashkimit Europian reflektonin një mospajtim të tyre.