Nëse akuzat që janë bërë tani publike konfirmohen, atëherë ai praktikisht përballet me arrestimin, dhe do të shkojë në Hagë ku do të përballet me një proces gjyqësor të gjatë e të komplikuar, ku mbrojtja e dëshmitarëve do të jetë një problem. Do të zgjasë me vite. Dhe kjo padyshim do të shkaktojë pështjellim të madh në politikën e Kosovës”.
Komentet i bën në profilin e tij në Twitter, Carl Bildt, ish kryeministër I Suedisë dhe aktualisht bashkëkryesues i Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë. Thaci vetë, nga Tirana ku ndaloi shkurtimisht tha se opinionit publik do t`I drejtohet të dielën. Ai ka qenë jashtë Kosovës dhe e ndërpreu udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara pasi Zyra e Prokurorit Special në Hagë paraqiti të mërkurën kundër tij aktakuzën për krime lufte.
“Ju uroj një fundjavë të qetë dhe mbetem me shpresë të plotë se ditët më të mira për Kosovën dhe kombin shqiptar i kemi përpara”, shkroi ai në Facebook.
Publikimi i akuzave nxiti reagime në shkallë të gjerë në Kosovë dhe kritika të rrepta ndaj prokurorisë së posaçme. Analistët thanë se situata e re ka vënë në pikëpyetje rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndonëse Bashkimi Evropian po ngulë këmbë se ato duhet të rifillojnë muajin që vjen.