Sot në Bruksel pritet të vazhdojë dialogu në nivel teknik mes Kosovës e Serbisë. Por një ditë më parë, Ana Bernabiq në Serbi mori mandatin e ri të qeverisë. Kjo e fundit me anëtarët e saj të kabinetit gjatë betimit kishin një pjesë ku thuhej se me përgjegjësi dhe përkushtim do ta mbrojnë Kosovën e që u referoheshin me Kosova e Metohi.
Ky betim ka ngjallur disa reagime në Prishtinë duke e cilësuar si nxitje për konflikt mes këtyre dy vendeve.
Është zëvendëskryeministri Besnik Tahiri që deklaroi se është i papranueshëm ky tekst i betimit.
Ai tha se është hipokrizi e madhe të kërkohet dialog dhe normalizim i marrëdhënieve e në anën tjetër kemi deklarata të pamatura e nxitje konflikti.
Njësoj po mendon edhe analisti Emir Abrashi nga Demokracia Plus. Ai tha se këto deklarata, përveç se janë të papranueshme, ato dëmtojnë edhe procesin e dialogut, kur dihet se tashmë kemi një ngërç në bisedime për shkak të asociacionit.
“Qëndrimet e tilla nga Serbia janë të papranueshme dhe dëmtojnë rëndë raportin mes Prishtinës e Beogradit në dialog, kur dihet që bisedimet janë në një ngërç për shkak të krijimit të Asociacionit. Ky betim është politik, por ajo që është problematike është se Ana Bërnabiq nuk ka qenë pjesë e regjimit të Miloshoviqit, siç është rasti i Vuçiqit e Daçiqit.”
Ndër të tjera, Abrashi thekson se këto qëndrime të Serbisë po dëmtojnë më së shumti vet atë në rrugën drejt integrimeve evropiane.
“Serbia po e goditë vetveten më këtë qëndrim. Ajo ka synim që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe në rrugën e saj të integrimeve po bën këso lloj politike në kundërshtim të plotë nga ajo që po kërkohet. Ambasadori i BE-së ka qenë shumë i qartë në deklarimet e tij kur i tha Serbisë se pa njohjen e Kosovës nuk ka hyrje në BE. Por Serbia ka vendos ta luajë një lojë të dyfishtë që në njërën anë është kundër perëndimit e në tjetrën pro tij. E dëshmia më e mirë është përdorimi i dialogut si dekor për të thënë se ja po bashkëpunojmë” – përfundon ai.
Kurse deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se kryeministrja serbe dëshmoi mentalitetin luftënxitës që vazhdon ta ushqejë politikën e për rrjedhojë edhe shoqërinë serbe.
“Në betimin e saj, kryeministrja serbe dëshmoi botërisht se mentaliteti luftënxitës vazhdon ta ushqejë politikën, e për rrjedhojë edhe shoqërinë serbe. Kursi konfliktuoz që Serbia vazhdon ta ndjek, minon të gjitha përpjekjet e sinqerta për t’i dhënë shansin paqes në ndërtimin e marrëdhënieve normale mes dy shteteve tona”.
Tutje Deliu shtoi se dialogu humb çdo argument, andaj ajo kërkon reagim nga BE si ndërmjetësuese e dialogut.
“Dialogu humb çdo argument, kur pasohet me thirrje që mobilizon urrejtjen ndaj palëve në dialog. Betimi i kryeministres serbe ishte zotim për konflikt dhe jo për paqe, prandaj nuk guxon të kalohet pa vërejtjen dhe reagimin e sponsorizuesve të dialogut”.
Një qëndrim ndaj këtij teksti të betimit të kabinetit të Bernabiqit kërkoi edhe Gani Koci. Por ai më shumë kërkoi reagimin e Qeverisë Hoti, duke thënë se me këtë qasje nuk duhet të ketë dialog.
Koci ka pyetur Hotin se nëse i ka çuar një selam Grenellit apo Lajçakut si ndërmjetësues të dialogut.
Kujtojmë se para disa javësh i emëruari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ishte në Prishtinë në një vizitë triditore, ku nuk la lider institucional e partiak pa takuar, me qëllimin e vetëm kthimin në dialog. E vizitën e vazhdoi në Beograd, ku nga atje kërkoi që të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës.
Dialogu Kosovë-Serbi ishte bllokuar pas insistimit të Serbisë se çështja e Asociacionit të diskutohej edhe njëherë në kuadër të dialogut.