Mandatarja për formimin e qeverisë së re të Serbisë, Ana Bërnabiq, beson se nuk është reale të nënshkruhet një “marrëveshje ligjërisht e detyrueshme” me Kosovën deri në fund të mandatit të saj prej një viti e gjysmë. Nëse kjo ndodh, ajo “nuk do të jetë qyqare” dhe do të ndajë me presidentin ose të marrë të plotë përgjegjësinë. Nëse preambula e Kushtetutës për Kosovën ndryshohet, qytetarët do të vendosin për të në një referendum, thotë ajo.
Ajo ka thënë se do të dëshironte që marrëveshja me Prishtinën të nënshkruhej gjatë mandatit të saj, në mënyrë që të “mbyllet problemi shekullor”.
“Unë mendoj se nuk është reale, dhe nëse do duhet të them se a do të doja, duhet të them se po, sepse kjo do të sillte një dozë të madhe të stabilitetit për të gjithë qytetarët në vend dhe rajon dhe do të hapte dyert e prosperitetit dhe sigurisë për të ardhmen.” Sepse në atë mënyrë, do të mbyllej jo vetëm një problem me dekada, por një problem shekullor,” tha Bërnabiq.
Ajo thotë se do të dëshironte të merrte përgjegjësi për diçka të tillë, ose ta ndante atë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Por nuk do të isha qyqare që do t’ia linte atë përgjegjësi dikujt prapa, brezave të rinj për të vendosur. Do ta merrja atë përgjegjësi dhe do ta dija se bëra diçka të mirë për popullin serb, për shtetin serb dhe diçka që është e mirë për të gjitha brezat që vijnë pas nesh,” shtoi ajo.
Bërnabiq thotë se pret zbatimin e plotë të asaj që ishte rënë dakord në Bruksel në shtatë vitet e mëparshme në dialogun e sapo vazhduar, duke theksuar mbi të gjitha formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. “Është “minimumi minimal që mund të presë çdokush”, thotë ajo sipas medieve serbe.