Ish-kryeministri Sali Berisha tha në emisionin Çim Peka LIVE se shqiptarët dolën absolutisht të fituar nga marrëveshja në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai e nisi duke sjellë në kujtesë se si u krekos Edi Rama me telefonatën që bëri me ish-këshilltarin e sigurisë në SHBA, John Bolton. Berisha nënvizoi se Rama, Vuçiç dhe Thaçi ishin pro ndarjes së Kosovës, siç e ka konfirmuar vetë Bolton.
“Ka ndodhur një fat i madh: largimi i Bolton,” tha Berisha. Ai u ndal më pas në pikat e marrëveshjes. Duke folur për liqenin e Ujmanit, Berisha tha se çështja e përdorimit të ujërave duhet të zgjidhet përmes palëve. Duke analizuar komentet për Ujmanin, Berisha tha se kishte albanofobë që donin të falnin Trepçën.
Berisha komentoi edhe një pikë të marrëveshjes, atë për MiniShengenin.
“Kam qenë kundër MiniShengenit sepse ky është një traktat i përgatitur në Beograd dhe i firmosur në Novisad, ku u përjashtua Kosova. Pse nuk u ftua Kosova? Sepse ishte e qëllimshme. Nëse qeveria e Kosovës do të ishte ftuar dhe të kishte firmosur traktatin në Novisad, nuk besoj se do mbaja këtë qëndrim. Të thotë Zografi Bis pse nuk e ftoi qeverinë e Kosovës?
Pala serbe ka lobuar fuqishëm në Shtëpinë e Bardhë për këtë projekt. Në filozofinë e lëvizjes së lirë iu është dukur e arsyeshme amerikanëve,” tha Berisha.
“Kryeministri Hoti i bëri një përfaqësim dinjitoz dhe të civilizuar Kosovës”.
“Njohja nga Izraeli është diçka e rëndësishme. Ekziston një lidhje tradicionale mes kombit dhe kombit hebre. Por të ndodhë që këtë lajm ta japë presidenti i SHBA dhe nga zyra e tij të bëhet komunikimi i parë mes kryeministrit të Kosovës dhe kryeministrit të Izraelit, unë mendoj se çdo shqiptar duhet ta konsiderojë si diçka të jashtëzakonshme”.
“Shqiptarët kanë dalë absolutisht të fituar. Vuçiç refuzoi flamurin e Kosovës, ata i hoqën edhe flamurin e tij,” tha Berisha.