Ish-kryeministri shqiptar dhe ish lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përshëndetur vendimin e Kryesisë së LDK-së që të marrë pjesë në votim për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Berisha, përmes një postimi në Facebook, duke përshëndetur LDK-në dhe kryetarin e saj, ka thënë se Abdixhiku deklaroi publikisht se Kryesia e LDK në një akt në vlerësimin tim në interesin më të mirë të Kosovës, ka vendosur me shumicë absolute votash t’i mundësojë parlamentit të vendit zgjedhjen e zonjës Vjosa Osmani presidente e Kosovës”.
“Me këtë rast shpreh kënaqësinë time dhe përshëndes nga zemra kryetarin e LDK, z. Abdixhiku dhe kryesinë e kësaj partie për këtë vendim largpamës, konstruktiv dhe burrëror e në respekt të plotë të vullnetit të qytetarëve dhe interesave më të mira të Kosovës”, ka shkruar Berisha, transmeton Telegrafi.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, sot pas takimit me deputetët e partisë së tij, tha se LDK ka marrë vendim që të marrë pjesë në zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
“LDK-ja nuk do të bëjë obstruksione në zgjedhjen e presidentit të vendit, që LDK si gjithherë do të ushtrojë detyrimin e saj kushtetues e të marrë pjesë në votimin e presidentit të vendit”, tha ai.
Abdixhiku tha se ky është vendimi i Kryesisë së LDK-së të votuar me shumicë absolute, duke shtuar se ai pret që të gjithë 15 deputetët e partisë të tij, të respektojnë këtë vendim.