Afrimi i ditëve për mbledhjen e Parlamentit të ri ka trembur ish-kryeministrin Berisha. PD po përgatitet për një qëndrim kundër tij dhe ky i fundit në alarm nga përjashtimi është vënë në lëvizje.
PD mblodhi dje Këshillin Kombëtar, por Berisha dha sinjale se i trembet një vendimi kundër tij. Ky i fundit si asnjëherë më parë të paktën gjatë 4 viteve të fundit, ka preferuar të jetë prezent në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ndërkohë që u shfaq në ambientet e selisë së PD rreth orë 17:58, vetëm 2 minuta para se të niste mbledhja. Berisha ka qenë i shoqëruar nga Dasho Aliko, ish-kryetar i Komunës së Lazaratit, aktualisht drejtues i degës së PD Gjirokastër dhe deputetit të zgjedhur demokrat, Tritan Shehu.
Berisha shkon në Këshill dhe bllokon debatet
Por prezenca e Sali Berishës në mbledhjen e Këshillit Kombëtar duket se ka qenë strategji e mirëmenduar. Nga njëra anë, zoti Berisha i sfidoi hapur amerikanët, pasi u shfaq dje në krah të Dasho Alikos, ish-kreut të Komunës Lazarat, komunë për të cilën Departamenti Amerikan i Shtetit pak ditë më parë ngriti alarmin, duke njoftuar qytetarët amerikanë që të mos shkojnë për vizitë atje.
Ndërsa nga ana tjetër me praninë e tij në mbledhjen e Këshillit, ish-lideri demokrat bllokoi debatin që mund të lindte për të, pas shpalljes “non grata” dhe këmbënguljes së amerikanëve për të mos e lejuar atë që të hyjë në Parlament. Pra, Berisha u shfaq në Këshillin Kombëtar, pasi e dinte që nga kjo mbledhje mund të merrte një goditje të fortë. Kështu që me prezencën e tij atje, askush nuk guxonte që të ngrinte zërin, debatonte dhe kërkonte largimin e Berishës nga Parlamenti apo distancimin e PD-së prej tij.
Dhe si duket kjo strategji funksionoi, sepse Këshilli Kombëtar nuk mori asnjë vendim për të ardhmen e Sali Berishës. Ndërkohë pas mbledhjes Berisha i ka shkuar në zyrë Bashës. Të dy kanë pasur një takim kokë më kokë, ku me siguri është folur për kërkesën e SHBA për largimin e tij nga grupi. Nga qëndrimet e njerëzve pranë Berishë sinjalet janë se ky takim ka qenë i tensionuar.
Berisha nis presionet
Pak pas largimit të Berishës, reagoi një prej gazetarëve pranë ish-kryeministrit, i cili e bëri të qartë se Berisha nuk largohet nga Parlamenti. Bëhet fjalë për gazetarin Çim Peka, i cili ka kërcënuar hapur Bashën, ndërsa ka hedhur dyshime për bashkëpunim PD-PS. Dyshimet janë se ai ka folur me porosi të Berishës.
“Ish-kryeministrin Sali Berisha do e kemi në Parlament, pasi do që të jetë zë i rëndësishëm i qytetarëve opozitarë në këtë vend. Kjo që po bën Basha, më duket më shumë shtrim i rrugës për të justifikuar bashkëpunimin me Ramën nesër, sesa është shqetësim i Bashës se kapja e shtetit vinka nga ndryshime kushtetuese të 2008-ës. Nëse Basha ka pasur këtë shqetësim për ndryshimet kushtetuese që kapin shtetin, duhet ta thoshte në programin e PD-së për zgjedhjet e 25 prillit”, – deklaroi Peka.
Por ky i fundit ka dhënë sinjale se takimi Berisha-Basha ka qenë i tensionuar. Ish- lideri demokrat si duket i trembet përjashtimit nga grupi dhe ka nisur shantazhet. Peka në fjalën e tij ka paralajmëruar se Berisha pas kaq shumë heshtje do nisë të flasë.
“Sali Berisha duket se ka vendosur ta thotë mendimin e vet, do jetë pro apo kundër vendimeve që do merren, por të paktën mendimi i tij do të dihet, se në tetë vjet është lënë të kuptohet se është dakord Berisha, ndërsa vendimet i ka marrë Basha”, – ka shtuar ai.