Ditën e sotme AAK dhe LDK kanë arritur marrëveshjen për të qeverisur bashkë në Kosovë. Lajmin e ka bërë të ditur kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj pas takimit me të parin e LDK’së, Isa Mustafën.
Ai ka bërë të ditur edhe emrat që i kanë për ministra, 4 ministri dhe 1 zëvendëskryeministër.
AAK merr Ministrinë e Drejtësisë, Arsimit, të Punëve të Jashtme dhe të Zhvillimit Ekonomik.
“Tani është praktikë kur arrihet koalicioni që krijohet një lidhje në politikë të jashtme në rend e ligj, në ekonomi dhe sektore të tjera. Zëvendëskryeministër do të jetë Besnik Tahiri, MPJ-në do ta drejtojë Meliza Haradinaj, Ministrinë e Drejtësisë, Selim Selimi, Blerim Kuçi do ta drejtojë ministrinë e Zhvillimit Ekonomik teksa Ramë Likaj ministrinë e Arsimit”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj tha se të gjitha detajet e marrëveshjes janë përfunduar dhe se janë gati për seancë e cila mund të mbahet nesër ose në një ditë tjetër.
“Ne kemi marrë përgjegjësi ashtu si u deklaruam. Me sa jam në dijeni, janë përmbyllur të gjitha aspketet e koalicionit qeverisës. Çdo gjë është e gatshme për seancë nesër ose një ditë tjetër”, tha pak më parë Haradinaj.