Kreu demokrat Lulzim Basha po distancohet dita ditës nga ish-kryeministri Sali Berisha. Sondazhet e brendshme të Partisë Demokratike tregojnë se Berisha nuk ka shumë mbështetje në publik dhe për këtë arsye, Basha ka vendosur të distancohet nga ish-qeveria e tij.
Ditën e djeshme lideri demokrat në një intervistë për gazetarin Bashkim Hoxha, u zotua se qeveria e tij nuk do të ketë në përbërje asnjë ish-ministër që ka shërbyer në qeveritë e mëparshme. Në listat e kandidatëve për deputetë rezultojnë edhe disa ish-ministra të Sali Berishës. Por që nga deklaratat e Bashës do të thotë se nuk do të kthehen më në qeveri.
Në këtë mes të rrezikuar janë edhe emra nga Lëvizja Socialiste për Integrim, gjithmonë nëse do të kemi një bashkëqeverisje Basha-Kryemadhi. Kryedemokrati u shpreh se në qeverinë e tij do të ketë anëtarë të rinj me integritet dhe profesionalizëm, të cilët do të krijojnë një kulturë të re politike.
“Në qeverisjen time nuk do të ketë anëtarë të kabinetit, që kanë shërbyer në të kaluarën, por do të ketë anëtarë me integritet, me profesionalizëm, që do të jenë në gjendje të mbajnë peshën e përgjegjësisë. Do të përbëhet nga individë, zonja e zotërinj të spikatur, në fushat e tyre profesionale, që do të bëjnë të mundur krijimin e një kulture të re politike.
Kjo na karakterizon neve si ekip, por edhe mua. Politika sot është bërë një fjalë e pistë, sepse ka hyrë dhunshëm në jetën e shqiptarëve, duke rënduar problemet. Ndërsa politika siç e shoh unë nuk mund të jetë një teatër, në kurriz të aspekteve të bashkëjetesës. Specialistët e fushave të ndryshme duhet të kenë hapësirën për të kontribuar. Do të thoja një ndryshim me çdo lloj përqasje ndaj qeverisjes që mund të kemi pasur në këto 30 vite, për t’i dhënë fund tranzicionit shqiptar”, tha Basha.
Ja kush mund të mbetet jashtë qeverisë:
Por kush janë emrat që mbeten jashtë nëse Partia Demokratike fiton zgjedhjet? Disa nga kandidatët për deputetë në listën e Partisë Demokratike, kanë shërbyer edhe në qeverinë e mëparshme. Për shembull, Flamur Noka ka pasur postin e ministrit të Brendshëm, Aldo Bumçi ish-ministër i Jashtëm dhe Fatmir Mediu ish-ministër i Mbrojtjes. Po ashtu Ferdinand Xhaferraj ka qenë ministër i Kulturës, Nard Ndoka ish-ministri i Shëndetësisë, ndërsa Enkelejd Alibeaj ish-ministër i Drejtësisë.
Ndërsa nga Lëvizja Socialiste për Integrim nëse do të bashkëqeverisë me Partinë Demokratike, disa emra të cilët kanë patur poste të tjera në qeverinë e mëparshme dhe mendohet se mund të mbeten jashtë qeverisë janë: Petrit Vasili i cili ka qenë ministër i Shëndetësisë, Edmond Haxhinasto ish-ministër i Transportit dhe Klajda Gjosha ish-ministre e Integrimit.
Kujtojmë se kreu i PD e ka vendosur fokusin e tij kryesor tek fushata dhe takimet me qytetarët. Ditën e djeshme ai u shpreh se fushata nuk është për të apo për kryeministrin Edi Rama por për qytetarët dhe familjet e tyre. Sipas tij vota për PD do të sjellë një shans për të zgjidhur problemet kryesore që vendi ka.
“Kjo fushatë është për familjet shqiptare, nëse do vazhdojnë t’i përcjellin fëmijët e tyre në emigracion, apo do u japin atyre një shans, duke votuar për ndryshim, për PD, që ka një plan konkret për të zgjidhur disa nga problemet kryesore, që kanë shkaktuar valën e emigracionit”, u shpreh kreu demokrat.