Miratimi i dy nismave nga Qeveria e Kosovës, për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që do të lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor, nga opozita në Kosovë po shihet si afrim me projektin e mini-Shengenit ballkanik, që u prezantua për herë të parë në tetor të vitit 2019.
Enver Hoxhaj, ushtrues detyre i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), tha për Radion Evropa e Lirë se me këtë veprim, Kosova i është afruar projektit të “mini-Shengenit”.
“Mendoj se lëvizja e lirë, në mënyrën se si qeveria e ka kaluar në mbledhjet e saj, që një vizë vlen për gjashtë shtete të Ballkanit, është pikërisht ajo çfarë parashihet në katër liritë themelore të cilat do të duhej t’i promovonte ‘mini-Shengeni’” ,tha Hoxhaj.
“Mini-Shengenin” e propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, ishte kundërshtuar nga kryeministri i tanishëm, Albin Kurti.
Derisa ishte kandidat për kryeministër, Kurti kishte thënë se Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për më shumë bashkëpunim dhe jo konfrontim.
“Parimet e gjithëpërfshirjes dhe reciprocitetit duhet të udhëheqin nismat rajonale. Rruga nga Beogradi për në Tiranë shkon përmes Prishtinës. Ne jemi dhe gjithmonë do të jemi një popull dhe askush nuk mund të qëndrojë mes nesh. Ne na duhet më shumë bashkëpunim e jo konfrontim”, kishte shkruar Kurti.
Hoxhaj tha se Albin Kurti ka ardhur në pushtet përmes mashtrimit dhe gënjeshtrës dhe sipas tij, ai tashmë ka hequr dorë nga çdo qëndrim që e ka pasur deri më tash.
“Ne si Parti Demokratike e Kosovës e kemi kundërshtuar ‘mini-Shengenin’, e kemi parë çdoherë si një përpjekje për ta rikthyer Serbinë në qendër Ballkanit si një shtet vendimmarrës dhe një qëndrim të tillë e mbajmë dhe kërkojmë nga zoti Kurti, që realisht të jetë serioz dhe të tregojë rezon shtetëror, meqë nuk është në përputhje me interesat e Kosovës”, tha Hoxhaj.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo nuk ka të bëjë asgjë me projektin e “mini-Shengenit” ballkanik.
“Zona e Novi Sadit është ide e (presidentit të Serbisë, Aleksandar) Vuçiqit e që mbështetet nga ai. Nisma në fjalë, për të cilat tashmë janë krijuar grupet punuese për të dhënë komentet e tyre, derivojnë nga Samiti i Sofjes, që është në kuadër të Procesit të Berlinit. Ky i fundit, pra Procesi i Berlinit, është ide e nismë e Berlinit zyrtar dhe ka mbështetjen e kancelares gjermane, (Angela) Merkel”, tha Kryeziu në një përgjigje me shkrim.
Ideja e “mini-Shengenit” ballkanik, u prezantua nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të cilët nënshkruan një deklaratë më 10 tetor të vitit 2019 në Novi Sad të Serbisë.
Bashkëpunimi rajonal ekonomik rrit ekonominë në Ballkanin Perëndimor
Visar Xhambazi nga Demokracia për Zhvillim (D4D), tha për Radion Evropa e Lirë se “mini-Shengeni” ballkanik është një ide paralele me tregun e përbashkët ekonomik, që funksionon nën ombrellën e Procesit të Berlinit.
Xhambazi tha se fokusi është i njëjtë, e që ka për qëllim bashkëpunimin rajonal dhe bashkëpunimin tregtar ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Për dallim nga ‘mini-Shengeni’ që momentalisht i ka vetëm katër shtete pjesëmarrëse, tregu i përbashkët i ka të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu, ‘mini-Shengeni’ e ka përkrahjen e BE-së apo të Komisionit Evropian dhe nuk ka ndonjë mbështetje politike dhe financiare. Ndërsa tregu i përbashkët ekonomik nën Procesin e Berlinit, e ka përkrahjen politike”, tha Xhambazi.
Sipas tij, tregu i përbashkët në ekonomi është alternativë më e mirë për rajonin, duke marrë parasysh gjendjen aktuale në Ballkan.
“Konsiderohet që Ballkani Perëndimor do të ketë një ngritje prej 6 për qind të GDP-së në total, si rrjedhojë e bashkëpunimit ekonomik rajonal. Prandaj, mendoj se është një iniciativë pozitive dhe mbi të gjitha ka mbështetjen e të gjitha qeverive dhe Brukselit zyrtar”, tha Xhambazi.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së premtes (më 21 maj) ka miratuar dy nisma për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që do të lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor, por edhe të qytetarëve të vendeve tjera që hyjnë në këtë rajon.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se njëra nismë ka të bëjë me lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës, Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe palëve të treta.
Sipas tij me këtë marrëveshje rregullohen kushtet e hyrjes, lëvizjes dhe qëndrimit të qytetarëve të palëve të treta në territorin e vendeve në marrëveshje. Qytetarët e palëve të treta janë të gjithë personat që nuk janë shtetas të palëve nënshkruese, pra të këtyre vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Këto marrëveshje kanë dalë si rezultat i zotimeve të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofjes, në nëntor të vitit 2020. Samiti është mbajtur në kuadër të Procesit të Berlinit.
Procesi i Berlinit, një iniciativë diplomatike e kancelares gjermane, Angela Merkel, filloi në vitin 2014, me qëllim për të mbështetur një të ardhme paqësore, të qëndrueshme dhe demokratike të Ballkanit Perëndimor, si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të rajonit.