Të mërkurën në medie është raportuar se Gjykata Kushtetuese së shpejti mund ta rrëzoj Qeverinë “Hoti” duke marrë vendim në favor të Lëvizjes Vetëvendosje për ankesën lidhur me kushtetuetshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të deputetit Etem Arifi për Qeverinë “Hoti”.
Por lidhur me këtë nga Gjykata Kushtetuese kanë thënë se ajo çfarë është raportuar dje nuk qëndron.
“Raportimet e djeshme në media përkitazi me këtë rast janë të pasakta dhe nuk qëndrojnë”, thuhet në përgjigjen e gjykatës .
Të pyetur se ku ka mbetur kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje për antikushtetuetshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të z. Arifi për Qeverinë “Hoti”, nga Gjykata kanë bërë të ditur se lënda është duke u shqyrtuar.
“Gjykata nuk ka marrë ende një vendim lidhur me këtë kërkesë dhe lënda është duke u shqyrtuar”, kanë deklaruar nga Kushtetuesja .
Tutje në përgjigjet e Gjykatës, thuhet se po sa të marrin një vendim do ta bëjnë publik dhe do të njoftohen të gjitha palët e përfshira.
“Si në çdo rast deri më tani, sapo Gjykata të marrë një vendim, për këtë do të njoftohen me kohë të gjitha palët e përfshira në rast dhe opinioni”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese për Front Online.