Pas takimit me ministren britanike Wendy Morton, kreu i PD, Lulzim Basha ka folur me tone të ashpra para mediave, duke thënë se nuk mundet PD që ka armik Ramën dhe regjimin e tij të përbaltet me sajesa, shpifje dhe devijime.
Në mbledhjen e grupit ditën e diel, Lulzim Basha i është referuar akuzave nga baza, duke u shprehur se “Qeverisja 8-vjeçare e PD-së ka pasur pjesën e vet të mirë dhe ka pasur edhe llumin”, një deklaratë e cila shkaktoi irritimin e një pjese të demokratëve, mes tyre të Nokës. Por kush është llumi në PD? Këtë lideri demokrat e sqaroi ditën e sotme.
“Kush është llumi i qeverisjes? J’ua them unë. Fraza të dala inderekte, apo nga këto shkalla të PD i shërbejnë Edi Ramës, ndërkohë që beteja jonë është që mos shkelmojmë mbi sakrificën e demokratëve për interesat e askujt interesat e mia. Kjo është arsyeja që më 9 shtator kam marr një vendim, për të shmangur çdo tollovitje që i shërben dhe i fryn Edi Rama dhe regjimi i tij, që përbëhet nga oligarkë, anëtarë të krimit të organizuar.
Këta janë llumi i tranzicionit, 30 vjet ndërrohen qeveritë këta vetëm pasurohen dhe të tjerët varfërohen. Beteja ime politike në krye të PD. është me ta. Këtu kërkohet fokus, guxim dhe mençuri. A ka patur llum në kohën e qeverisjes së PD? Sigurisht që po, një pjesë e kemi pastruar një pjesë jo,. Njerëz që kanë frikë nga gjëmat e tyre dhe janë të shantazhuar nga Edi Rama që ti shërbejnë Edi Ramës. Që këto para të vëna me praktikat korruptive gjatë kohës që qeverisnim ne ti përdorim për të shantazhuar demokratët në një rrugë pa krye dhe ndërkohë të akuzojnë kryetarin e PD se po u bën presion demokratëve është e patolerueshme. PD është shpresa e vetme e këtij vendi dhe shqiptarëve, për ndryshim. Kushdo që mendon se do kthejë PD në bunker për interesa personale, që do të thyejë vendosmërinë time për tu përballur me korrupsionin që përfaqëson Edi Rama dhe regjimi i tij, dhe bishtat e korruptuar të ish qeverisë tonë. Demokratët e dinë fare mirë se kush janë, çfarë pazaresh kanë bërë dhe bëjnë edhe sot bëjnë pazare me Edi Ramën. Nuk lejoj askënd që ti bjerë me shkelm sakrificës së demokratëve”, u shpreh kryedemokrati Basha.
Këto deklarata kreu i PD i bëri pas takimit me ministren britanike për Europën dhe Amerikat, Wendy Morton me të cilën siç tha kishte diskutuar për bashkëpunimin e mëtejshëm në dy çështje prioritare; shkëputja e lidhjeve të politikës me krimin dhe liria e medias.