Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaron se për momentin nuk ka një vendim nga Komiteti i Ekspertëve për të rikthyer masat kufizuese, si në kohën e karantinës.
“Situata po monitorohet me shumë kujdes. Edhe pse shifrat janë rritur këto ditë, Komiteti i Ekspertëve ka vlerësuar se nuk ka kthim mbrapa por ka nevojë për një vëmendje të shtuar të të gjithë qytetarëve për të respektuar rregullat, që të kufizojmë përhapjen e COVID19, ndërsa sistemi shëndetësor po përgatitet për forcimin e kapaciteteve”, – tha Manastirliu, gjatë ceremonisë së dorëzimit të pajisjeve mjekësore të Bashkimit Europian për përballimin e epidemisë në vend.
“Sistemi shëndetësor vijon të jetë në gatishmëri. Ne jemi duke u përgatitur për forcimin e kapaciteteve. Siç bëmë me spitalin e ri karantinë, jemi duke përfunduar përshtatjen e një strukture tjetër brenda QSUT, po fuqizojmë kapacitetet për testimet ndërsa po forcojmë kapacitetet me aparatura mjekësore për të përballuar situatën. Ndaj edhe këto 5 autoambulanca që fuqizojnë flotën e Urgjencës Kombëtare dhe 15 respiratorë transporti, e një seri aparaturash jetëshpëtuese do të rrisin kapacitetet e reanimacioneve në spitalet tona”, – shtoi ministrja.