Numri 2 i PS-së, Taulant Balla gjatë fjalës së tij në Kuvend vlerësoi punën e SPAK dhe prokurorive në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit.
Balla tha se reforma në drejtësi ka bërë të mundur që të konsolidohet pavarësia e institucioneve të drejtësisë.
“Ne do vazhdojmë ta konsolidojmë rritjen e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë. Dikur në këtë Kuvend përmendeshin vlerat e vendeve të punës për gjyqtarët në Tiranë dhe rrethe, por falë Reformës në Drejtësi tashmë kemi vendimmarrje apo masa disiplinore të duhura.
746 persona ishin në hetim gjatë vitit 2020, 70% e tyre janë marrë të pandehur. Kurrë më parë nuk kishte një shifër të tillë nga institucionet e prokurorisë. Dikur në prokurorinë e Saliut dhe Metës niveli i personave të marrë në hetim nuk e kalonte 10%. Ky është vetëm fillimi. Ky nuk është niveli më i lartë, do vazhdohet më tej. Është fillim i mbarë i një pune shumë të rëndësishme.”, – tha Balla.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, pas raportimit të kreut të SPAK, Balla u shpreh se do ketë goditje edhe ndaj politikanëve. Sipas tij, sa i përket hetimit ndaj politikanëve Shqipëria nuk do bëjë përjashtim nga Rumania apo Kroacia.
“Sa i përket hetimit ndaj politikanëve as Shqipëria nuk do bëjë përjashtim nga Rumania apo Kroacia. Para 7-8 vitesh në Rumani ishin në proces hetimi apo të dënuar nga kryeministra në ish ministra. Edhe në Shqipëri ka ministra në dyer të gjykatave, apo ish-kryeprokurorë të dënuar në shkallën e parë.”, u shpreh Balla.