Presidenti Ilir Meta nuk ka ndërmend të tërhiqet nga skenarët rusë të destabilizimit. Zgjedhjet e 25 prillit do të përcaktojnë fatin e LSI dhe presidenti duket i vendosur për të mos lejuar zhbërjen e saj. Për këtë arsye Meta po jep sinjale se më 25 prill, por pas kësaj date, do të kemi një situatë aspak të qetë, sidomos në qytetin e Vlorës. Pak ditë më parë Meta tentoi destabilizim përmes bllokimit të aeroportit të Rinasit. Të gjitha faktet tregojnë se ishte një skenar i mirëmenduar, ndërsa dyshimet e vendeve partnere janë se kjo u bë për qëllim të interesave ruse. Por pasi ky skenar dështoi brenda dy ditëve, duket se kreu i shtetit është vënë sërish në lëvizje duke mos hequr dorë nga plani rus i destabilizimit.
Ditët e fundit Meta po bën thirrje për “luftë” dhe kaos. Të enjten ai foli dy herë për rrëmbim armësh në Vlorë, duke ia bërë të qartë Damian Gjiknurit se Vlora ka burra pushke. “Doni provë më të madhe se biseda telefonike para pak ditësh, ku Damiani u inkurajua për të bërë dhe një tërmet tjetër në Vlorë. Atje nuk ka burra Damiani, por atje ka burra pushke, kur bëhet fjalë për sovranitetin”, tha Meta.
Ai dje lëshoi një mesazh tjetër të fortë, duke e bërë të qartë se do kemi klimë tensioni para ose pas zgjedhjeve. “Çdo presion e ka një reaksion, janë ligjet e fizikës. Këto presione të mazhorancës do të prodhojnë reaksion nga ana e popullit shqiptar dhe sidomos popullit të Vlorës sepse janë të papranueshme. E kam fjalën që çdo përpjekje për presione rrit pakënaqësinë. Barometri im për rezultatin e zgjedhjeve do të jetë populli shqiptar”, tha ai dje nga Vlora.
Ndërkohë kreu i shtetit e ka pranuar hapur se po mbledh në takime të gjithë komisionerët e LSI, ku po u jep udhëzime që të mbrojnë me forcë votën. Nëse çdo gjë nuk shkon sipas interesit të LSI, me shumë gjasë komisionerët do të tentojnë të prishin procesin zgjedhor. Vetë më 25 prill Meta do të jetë po në qytetin e Vlorës dhe duket qartë se kreu i shtetit po nxit një klimë tensioni në këtë qytet.
Prej disa javësh Meta ka nisur të përgatisë terrenin për trazira pas 25 prillit nëse fiton PS. Rasti i parë ishte ai i përplasjes fizike te zyrat e FRD. Ndërsa më pas ka dërguar me dhjetëra letra te institucionet ndërkombëtare ku akuzon qeverinë se është duke trukuar rezultatin. Ndërsa ditët e fundit ka dhënë alarmin se po shiten e po blihen komisionerë. Madje arriti deri aty sa foli për manipulim të rezultatit në zonat që do të pilotohet teknologjia.
Pra Meta po e bën të qartë se nëse PS fiton zgjedhjet do të dalë dhe të deklarojë se ato u vodhën dhe u blenë. Burime të gazetës në LSI e Presidencë bëjnë me dije se nëse LSI mbetet jashtë qeverisë, Meta do të tentojë revolta e protesta masive. Nëse PS fiton e vetme atëherë me shumë gjasë vetë Meta do zbresë në bulevard dhe do të kërkojë tensione për rrëzimin e qeverisë. Por mësohet se e njëjta gjë do të ndodhë edhe nëse PD e lë në baltë dhe shkon me PS. Pra duket qartë se kreu i shtetit do të tentojë destabilizim duke u shkuar përshtat interesave ruse.
Aeroporti i Rinasit u bllokua për të mos lejuar mbërritjen e forcave ushtarake amerikane. Vetë rusët reaguan ashpër për stërvitjen “Defender 21”, çka tregon fare qartë se prezenca ushtarake amerikane nuk pranohet dot nga Moska. Në këtë mënyrë u përdor besniku i saj në Tiranë për të tentuar sabotimin e stërvitjes. Ndërkohë më 26 prill do të nisë stërvitja ushtarake dhe si për koincidencë do të jetë një ditë pas zgjedhjeve, ose më saktë në ditën më vendimtare të këtij procesi, pasi do të jepen sinjalet e para se kush mund të jetë fitues më 25 prill.
Pyetja që shtrohet është: A po vijon presidenti të zbatojë skenarët rusë për të destabilizuar vendin, ndërkohë që paralelisht do bëhet stërvitja ushtarake? Deklarata dhe qëndrimet e tij të ditëve të fundit japin sinjale të qartë se presidenti është po në të njëjtën linjë. Nëse shohim reagimet e mediave ruse, por dhe të vetë institucioneve të Moskës rezulton se Meta ka shumë mbështetje prej tyre. Vetë kreu i shtetit i ka mbrojtur në shumë raste.