Ka hyrë në fuqi urdhri i Ministrisë të Drejtësisë për sigurimin e noterit, që përcakton shumën e mbulimit me dëmshpërblim për dëmet që mund t’u shkaktojë klientëve apo palëve të treta gjatë ushtrimit të detyrës. Jo pak herë në gjykata janë dërguar padi nga qytetarët kundër noterëve në vend.
Ankesat më të shumta tregojnë se noterët nuk e bëjnë siç duhet punën e tyre duke u hapur kështu më vonë probleme të shumta ligjore klientëve të tyre. Prandaj, me rekomandimet e “Moneyval”, ligji i ri përcakton se, përllogaritja e vlerës përkatëse të primit të sigurimit për çdo noter, do të kryhet në bazë të mesatares së vëllimit të punës së veprimtarisë noteriale për 3 vitet e fundit, e përllogaritur nga numrat e koleksionit.
Urdhri përcakton se, çdo noter është i detyruar që jo më pak se 15 ditë përpara lidhjes së kontratës së sigurimit të përllogaritë dhe të njoftojë Dhomën Kombëtare të Noterisë dhe Ministrinë e Drejtësisë për mesataren e numrave të koleksionit, duke u bazuar në të dhënat që administrohen nga sistemi elektronik dhe nga regjistrat noterialë që mbahen në çdo zyrë noteriale.
Ndër të tjera, ministria sqaron në pikën 1 të urdhrit se shuma minimale e mbulimit me sigurim për një ngjarje të siguruar dhe shuma minimale e tërësisë së dëmshpërblimeve nga sigurimi, që janë të pagueshme gjatë vitit të sigurimit për një apo më shumë ngjarje, përcaktohet çdo vit, në bazë të mesatares së vëllimit të punës së veprimtarisë noteriale për 3 vitet e fundit, për çdo noter, e përllogaritur nga numrat e koleksionit. Tre janë kategorizimet e bëra nga ministria për këtë aspekt.
Ndërkaq, evidentohet se, vlera përkatëse e sigurimit kolektiv paguhet nga secili noter në llogari të Dhomës, e cila më pas derdh detyrimin përkatës në kompaninë e sigurimit, sipas marrëveshjes së nënshkruar. Polica e sigurimit individual ose kolektiv duhet të mbulojë edhe dëmet e shkaktuara nga të punësuarit e noterit, përfshirë këtu zëvendësnoterin për çdo klient të dëmtuar nga puna e tyre.