Lidhja Demokratike e Kosovës vendosi të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Vjosa Osmani duket se tani i ka siguruar votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur presidente.
Ndonëse akoma nuk është caktuar data e mbajtjes së seancës parlamentare kur do të zgjidhet presidenti, si duket pretendentja për këtë post Vjosa Osmani, ka siguruar numrin e mjaftueshëm të pjesëmarrjes së deputetëve në këtë seancë. Kjo për faktin që Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, me kryetarin e ri të saj Lumir Abdixhiku, vendosën që të marrin pjesë në seancën parlamentare për zgjedhjen e presidentit.
Kryetari i LDK-së pas një takimi të kryesisë së partisë tha se partia që ai drejton “nuk do të paraqesë pengesa dhe do të ushtrojë detyrimin e saj kushtetues për të marrë pjesë në votimin e presidentit të vendit”, kurdo që mbahet seanca.
“Pas një diskutimi të hapur, shterues në argumente e gjithëpërfshirës, të gjithë, bashkarisht, kemi marrë vendim që Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të bëjë obstruksione në zgjedhjen e presidentit të vendit. Që LDK, si gjithëherë, do të ushtrojë detyrimin e saj kushtetues, e të marrë pjesë në votim për presidentin e vendit. Ky pra është vendimi i kryesisë i votuar me shumicë absolute të anëtarëve të saj”, shkroi Abdixhiku në facebook.
Zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës duhet të ndodhë më së largu deri më 5 maj kur dhe skadon afati gjashtëmujor i ushtruesit të detyrës së presidentit. Lëvizja Vetëvendosje që në zgjedhjet e 14 shkurtit doli partia e parë ka siguruar 58 deputetë, ndërsa ka kandiduar zonjën Vjosa Osmani për presidente.
Votat e Vetëvendosjes së bashku me votat e pakicave jo serbe dhe 15 votat e LDK-së, mund t’ia sigurojnë zonjës Osmani kuorumin e mjaftueshëm përtej 80 deputetësh në mënyrë që ajo të zgjidhet presidente. Sipas Kushtetutës zgjedhja e presidentit kërkon në dy raundet e para të votimit dy të tretat e votave, ndërsa në raundin e tretë mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në sallë duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë.