Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), njëherit dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli ka dhënë arsyetimin e tij për mospjesëmarrje në konstituimin e legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Kosovës.
Pacolli përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka thënë se për shkak të pandemisë COVID-19, ai nuk ka mundur të jetë i pranishëm në sallë.
“Sot u konstitua legjislatura e tetë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e lira dhe demokratike të 14 shkurtit. Vendi ynë ashtu si e tërë bota po kalon krizën e rëndë të pandemisë COVID-19, andaj themelimi i shpejtë i institucioneve të reja është më se i nevojshëm. Për arsye tashmë të njohura, nga kufizimet e shkaktuara (sidomos ditëve të fundit) nga pandemia, me privoj, edhe përkundër dëshirës sime unë sot nuk mund të merrja pjesë në Kuvend për të dhënë betimin dhe filluar punën, por që një gjë të tillë do ta bëj në seancën e radhës”, ka shkruar Pacolli në Facebook.