Përfaqësuesja e komunitetit boshnjak në Kosovë, Duda Balje, thotë se njohja e ndërsjellë e Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë herët a vonë. Ndërsa, ka thënë se është reale frika e Beogradit për rrezikun e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
Me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Duda Balje do të ketë mandatin e tij të katërt parlamentar në Kuvendin e Kosovës. Deputetja ka folur për njohjen reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë.
“Realisht, nuk ka asnjë mundësi tjetër. Me ose pa presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Kosova është një shtet i pavarur dhe është një proces që askush nuk mund ta kthejë”, tha Balje për Al Jazeera, përcjell Telegrafi.
Ajo më tej theksoi se përpjekjet e deritashme për negociata midis Kosovës dhe Serbisë nuk kanë qenë të suksesshme dhe foli për qasjen që do ta ketë lidhur me këtë proces kryeministri në ardhje i Kosovës.
“Kurti ka një qëndrim të veçantë për atë çështje. Vlerëson se nuk është prioritet i Kosovës që të vazhdojë negociatat menjëherë. Ne do të shohim zhvillimin e situatës gjatë periudhës së ardhshme, planet dhe presionet e Evropës dhe Amerikës”, tha ajo.
E pyetur se si ajo interpreton deklaratat gjithnjë e më të zëshme nga Serbia në lidhje me rrezikun e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, Balje tha se kjo është një frikë reale.
“Është një frikë reale. Kjo ide ka ekzistuar për shumë vite. Është definuar si radikale, por tani, me Kurtin po ringjallet gjithnjë e më shumë”, theksoi ajo.
Duke folur për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, Balje vuri në dukje se kjo çështje në Kosovë trajtohet si krijimi një shteti brenda shtetit.
“Përfaqësuesit serbë dëshirojnë pavarësi dhe lidhje më të madhe të bashkësisë së atyre komunave me Beogradin. Nga ana tjetër, qeveria në Kosovë nuk është e gatshme t’u japë atyre më shumë të drejta krahasuar me komunat e tjera”, tha Balje.
I pyetur për të komentuar nëse shembulli i Republikës Serbe [në Bosnjë e Hercegovinë] mund të jetë arsyeja pse Kosova nuk dëshiron Asociacion të Komunave Serbe, Balje tha se Republika Serbe është një shembull i keq që përmendet shpesh në Kosovë në një kontekst negativ.
Ajo gjithashtu tha se për udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, mundësia e shkëmbimit territorial me Serbinë nuk është opsion.