E sulmuar për ditë të tëra për shkak të një deklarimi që u duk se shfaqi nëj afeksion për ish-sistemin e Hoxhës, Ing. Luljeta Bozo, kandidate për deputete në listën e PS-së për Tiranë, ka sqaruar pozicionin e saj në lidhje me atë sistem.
Në një përpjekje për të avokuar veten, Bozo, një grua në moshë dhe larg politikës, por që së fundi pranoi një ofertë politike e quan atë sistem një diktaturë e Hoxhën një dictator, ndërsa thënia e saj se “kishte më shumë të mira se sa të këqia”, i atribuohet, sipas saj, jetës akademike, ku bënte pjesë dhe ajo.
“Unë kam një jetë të jetuar me parimet e me punën time dhe bindjet e mia as nuk i kam negociuar, as kam ndërmend t’i negocioj në këtë moshë me askënd! Për më tepër nuk kam ndërmend të merrem me ata që merren me shtrembërimin e fjalëve te mia, për qëllime të rëndomta politike.
Diktaturën komuniste e dënoj me forcë dhe Enver Hoxha padyshim ishte një diktator. Por refuzimi i çdo relativizimi të krimeve të diktaturës, nuk më pengon dot të vlerësoj me respekt shkencëtarët dhe profesionistët e asaj kohe dhe gjithë popullin e thjeshtë që kanë punuar me ndershmëri”, shprehet Bozo.
Por më pas, me një nëntekst të dukshëm që ka për shënjestër Berishën, Bozo shprehet:
“Pafuqia për të mos e parë atë kohë vetëm bardhezi është sindromë e sërvilëve apo spiunëve të atëhershëm, që janë ‘xhelatët’ e mendimit ndryshe të këtyre 30 vjetëve. Kush kapet pas Enverit për të sulmuar të tjerët është në fakt një zëdhënës i pavetëdijshëm i së keqes së asaj diktature. Ata që shajnë, akuzojnë dhe shtrembërojnë janë njësoj si xhelatët e mendimit ndryshe asokohe. Ekstremet përputhen dhe më kujtohet Vaclav Haveli që thotë: Komunisti më i zi është komunisti antikomunist! Kam vetëm keqardhje per ta”, shprehet Luljeta Bozo.
Kujtojmë se përshkrimi i Berishës sipas thënies së Havelit është theksuar për herë të parë në “Përpjekjen” e dikurshme të Fatos Lubonjës, në të cilin shkruante dhe Edi Rama.