Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka reaguar ndaj presidentit të Serbisë, Aleksander Vucic, pasi ky i fundit ka provokuar në rrjete sociale duke publikuar një fotografi në të cilën shihet harta e Kosovës e mbuluar me flamurin e Serbisë.
Nishani thotë se provokimi i Vuçiqit është i rëndë dhe kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.
“Provokimi i Presidentit të Serbisë Vuçiç mbi Republikën e Kosovës është një provokim dhe kërcënim mbi sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit”, ka shkruar Nishani.
Ai tutje ka përmendur edhe të bëmat e Serbisë gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndërkohë ka kritikuar Ilir Metën dhe Edi Ramën që s’kanë reaguar lidhur me një provokim të tillë të Vuçiqit.
“Nuk është aspak e largët koha kur Serbia për hegjemoni nisi luftra të përgjakshme në rajonin e Ballkanit, kundër Sllovenisë, kundër Kroacisë, kundër Bosnje-Herzegovinës e kundër Kosovës.
Luftrat e nisura nga Serbia, i shkaktuan këtij rajoni mijëra viktima, genocid, shkatërrime masive dhe eksod të popujve drejt Evropës.
Tentativa e provokime të njëjta përsëri, janë një “ogur” i keq për paqen e stabilitetin ne kufijtë evropian.
Megjithëse ky një kërcënim e provokim i hapur, asnjë reagim apo denoncim nga Tirana zyrtare.
Turp e paçin faqen e zezë !
Nuk mund të presësh gjë tjetër prej argatëve të Beogradit në Tiranë, veç heshtjes!”, ka shkruar ai.