U.d së presidentit, Vjosa Osmani në ceremoninë e zbarkimit të kontingjentit të FSK-së në misionin e parë paqësor jashtë vendit ka thënë se kushdo që kërcënon Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka kërcënuar edhe Republikën e Kosovës. Osmani para ushtarëve të FSK’së tha se pa mbështetjen e Ushtrisë amerikane misioni do të ishte i pamundur.
“Ky mision nuk do të ishte i mundshëm pa mbështetjen e Ushtrisë Amerikane. Prandaj, të nderuar përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këta djem janë edhe djemtë tuaj. Misioni juaj është edhe mision i yni! Është paqja dhe besimi në vlera të përbashkëta që na bëri bashkë dhe ato t’i bëjmë të mundshme”, tha Osmani.
Osmani tutje tha se kushdo që kërcënon ShBA’në ka kërcënuar edhe Kosovën.
“Siç e kemi dëshmuar edhe më parë, ne nuk dimë të zmbrapsemi. Ushtarët tanë do të jenë kudo dhe kurdo që rrezikohen interesat tona e vlerat në të cilat besojmë, por edhe ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të aleatëve tanë të tjerë. Pra, që të jemi të qartë, kush do që kërcënon Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë të tjerë ka kërcënuar edhe Republikën e Kosovës. Pra në Kosovën, Amerika e aleatët tjerë gjithnjë do të gjejnë aleatin e tyre më lojal”, ka thënë Osmani.