Filloi me kritika ndaj partisë së tij që kur dolën emrat e integristëve që do të merrnin poste në Qeverinë “Zaev 2”. “Do votoj për këtë Qeveri me vërejtjet personale që kam ndaj një pjese të ekzekutivit. Është debat i brendshëm brenda Bashkimit Demokratik për Integrim”, deklaroi Izet Mexhiti – (25.08.2020). Nënkryetari i BDI-së, e më pas shef i grupit parlamentar, post nga i cili dje dha dorëheqje, Izet Mexhiti, thoshte se ata që përfaqësojnë në ekzekutiv duhet të jenë konform vullnetit të qytetarit. Me këtë, donte të tregonte se nuk kishte ambicie personale, por se votuesi ishte i pakënaqur, sidomos ai i Çairit, degë nga ku vjen edhe ai, përcjell TV21.
Po pse i pakënaqur Mexhiti? Njeriu që në 15 vite në BDI ka mbajtur poste të ndryshme. Mbi 1 dekadë nënkryetar i partisë, 3 mandate – pra 12 vjet kryetar i Çairit, 1 mandat deputet, kryetar i degës së partisë në Çair, e bashkë me këtë, bashkë me Beqir Asanin kanë pasur edhe fuqinë për emërime të shumta në ministri e drejtori. Çfarë e shtyu Mexhitin të ngritet kundër zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi? TV21 mëson se që para kongresit të 4 të BDI-së, mes Mexhitit e Grubit ka pasur marrëveshje, ku Mexhiti ka kërkuar përkrahjen e Grubit për deputet dhe kryetar dege i Çairit, ndërsa Grubi ka kërkuar përkrahjen e Mexhitit për në ekzekutiv. Krejt pakënaqësia fillon kur Bujar Osmani emërohet ministër i jashtëm, tregojnë burimet tona, e kjo më pas solli që të gjitha vërejtjet t’i drejtohen Grubit. Pas 100 ditëve qeverisje, nga foltorja e Kuvendit, Mexhiti filloi të kërkojë llogari për premtimet e dhëna në zgjedhje. E pazakonshme për përditshmërinë tonë politike, që bashkëpartiaku t’i kërkojë hesap bashkëpartiakut. “E them me shumë bindje që do të vazhdoj deri në fund të mandatit nga pozicioni i deputetit pra mos të kuptohet kjo që është luftë personale për t’ia zënë vendin ndokujt tjetër, larg atyre spekulimeve. Por nëse ndokush ka menduar se unë do të rri dhe vetëm do të votoj ligje në mënyrë mekanike, atëherë ka gabuar”, theksoi Izet Mexhiti – (12.01.2021).
Nuk munguan as paralajmërimet për interpelancë ndaj Grubit, ose-ose edhe mbështetjen e votëbesimit të tij në rast se do të vihej deri tek një e tillë. Deri më tani nuk ka ndodhur asnjëra. Pas mbledhjes së integristëve në Reçicë të Vogël, kryetari Ahmeti doli dhe tha se bëhet fjalë vetëm për hatërmbetje. Pak ditë pas kësaj Mexhiti me votë si deputet mbështeti besimin ndaj Qeverisë. E pa kaluar java nga kjo, dorëhiqet si koordinator i grupit parlamentar i BDI-së në Kuvend. “Në BDI po ndodhin zhvillime të cilat në asnjë mënyrë nuk mund të jenë në favor të forcës më të madhe politike të shqiptarëve të RMV-së dhe që është edhe më e rëndësishme, as në favor të liderit të pakontestueshëm të shqiptarëve , kryetarit z. Ali Ahmeti. Duke dëshiruar mos krijimin e hutisë edhe tek ndonjë kolegë i im në Kuvend, e nga ana tjetër, me intencë të dhënies së hapësirës veprimit tim për elaborim më të denjë të qëndrimit pas të cilit fuqishëm qëndroj, ju informoj se tërhiqem nga pozita e koordinatorit të grupit parlamentar të BDI-së”, ka informuar Mexhiti.
Artan Grubi, zëvendëskryeministri për të cilin Mexhiti ka kritika, vazhdon ta quajë shok, mik e kolegë. “Vendimi i shokut, mikut tim, Izet Mexhiti, kolegut, bashkëpartiakut është vendim personal dhe e respektoj”, deklaroi Artan Grubi – zëvendëskryeministër i parë. Grubi, për të cilin Mexhiti thotë se ka ambicie ta trashëgojë Ali Ahmetin, nuk e mohon që një ditë Kryetar i partisë të jetë pikërisht Mexhiti, por jo si zëvendësim i liderit Ahmetit. “Gjithsesi se me ndonjë periudhë mund të ketë ndonjë kryetar tjetër të BDI-së dhe pse të mos jetë Izet Mexhiti apo kushdo qoftë tjetër i cili do të ketë përkrahjen e votuesve”, u shpreh zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi. I pyetur nëse ka nisur rrugën që ka bërë Vjosa Osmani në Kosovë, zëri kritik i LDK-së që u largua nga partia për t’iu bashkuar opozitës, Izet Mexhiti shkurt për TV21 u përgjigj jo, nuk mendon ashtu. Po ashtu në Facebook, ka shkruar se “vazhdon të mbetet gardian i politikave dhe idealit të kryetarit Ali Ahmetit si dhe zëri i votuesit të BDI-së për të realizuar premtimet e dhëna”.