Profesori amerikan i “John Hopkins University” dhe eksperti për çështjet që ndërlidhen me Ballkanin Perëndimor , Daniel Serwer ka dalë kundër që ambasada e Kosovës të vendoset në Jerusalem.
“Unë personalisht preferoj që ambasada të mos vendoset në Jerusalem – gjëja kryesore është njohja nga Izraeli, kjo ia vlen diçka”, tha ai.
Tutje Serwer ka përdorur gjuhë ofenduese ndaj ish-emisarit për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, duke e quajtur “budalla”.
Sipas tij, Grenell ndikoi në rrëzimin e qeverisë Kurti.
“Grenell nuk e pëlqen Kurtin sepse ai këmbënguli saktësisht në reciprocitet në marrëdhëniet me Serbinë, megjithëse ai gjithashtu tregoi një farë fleksibiliteti mbi tarifat. Grenell është një budalla. Ai punoi shumë për ta hequr Kurtin nga kryeministria herën e fundit. Kjo e ndihmoi Kurtin të arrijë një fitore të madhe”, tha ai.
Ndërkaq, Ish-këshilltari i lartë i DASH-it dhe njohësi i rrethanave në Ballkan, David Philips tha se Kosova është shtet i pavarur dhe nuk duhet marrë udhëzime nga Brukseli, Washingtoni apo Ankaraja se ku duhet vendosur ambasada.
“Kritikat nga çdo qeveri e huaj nuk janë të rëndësishme për vendimin që duhet ta marrë Kosova. Është shumë pozitive që Izraeli dhe Kosova po vendosin marrëdhënie diplomatike. Sa i përket ambasadës kjo i takon Kosovës, se ku dëshiron ta vendosë dhe se Kosova nuk duhet të nxitohet për të marrë një vendim”, shprehet ai.
Më tej, thekson se Kosova nuk e ka me detyrim ta zbatojë marrëveshjen e arritur në Washington.