Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis, në një seancë parlamentare foli për marrëveshjen e Greqisë dhe Shqipërisë për të çuar çështjen e detit në Hagë. Gjatë një momenti replike me kreun e opozitës Aleksis Tsipras, Mitsotakis u shpreh se Greqia ka në parim një marrëveshje me Shqipërinë për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare për Zonat Ekonomike Ekskluzive në lidhje me çështjen e detit Jon. Ndër të tjera Mitsotakis tha se zgjerimi me 12 milje është një e drejtë sovrane e Greqisë dhe nuk mund të kundërshtohet.
Mitsotakis u shpreh:
“Ju nuk arritët një marrëveshje për zonat ekskluzive ekonomike me Italinë dhe Egjiptin. Vendi aktualisht ka një marrëveshje të nënshkruar për demarkacionin gjeografik me Italinë. Është e vështirë të negociohet marrëveshja e pjesshme e demarkacionit me Egjiptin. Dhe në parim ka një marrëveshje me Shqipërinë për të referuar çështjen e Zonës Ekskluzive Ekonomike në Hagë pasi Greqia ka zgjeruar ujërat e saj territoriale. Kam dëgjuar shumë për sovranitetin dhe të drejtat sovrane. Më lejoni të sqaroj edhe një herë: E drejta për të zgjatur 12 milje është një e drejtë e njëanshme e patjetërsueshme e vendit. Nuk diskutohet, nuk kushtëzohet. Qeveria Demokracisë së Re ishte e para që e bëri këtë, duke filluar në Jon. Dihet gjithashtu pse ujërat territoriale në Egje nuk janë zgjatur nga asnjë qeveri. Kjo nuk do të thotë që vendi nuk ka të drejtë.”