Koalicioni Shqiptar “Bashkë nji za” (PD-UDSH-LDnëMZ) nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re, sepse, siç thanë ata, nuk mund të jenë pjesë e Qeverisë në të cilën dominojnë partitë dhe politikat që nuk e duan barazinë e shqiptarëve në Mal të Zi dhe me të cilat dallojnë në mënyrë programore dhe strategjike.
Në përgjigjen e Koalicionit Shqiptar (PD-UDSH-LDnëMZ) drejtuar mandatarit Zdravko Krivokapic, thuhet se partitë që do të dominojnë në qeverinë e re, nuk votuan që Tuzi të bëhet Komunë, as për Ligjin mbi Përdorimin e Simboleve Kombëtare.
“Ato subjekte shtetin e Kosovës e quajnë shtet të rremë, e shpesh edhe shtet terrorist, dhe ata Malin e Zi nuk duan shtet qytetarë, por një një Mal të Zi Serbo(madh),” thuhej në përgjigje.
Liderët e këtyre partive, siç thanë ata, në fillim të shekullit 21, “ëndërrojnë të marrin Shkodrën, Dubrovnikun, Pejën dhe Prizrenin dhe flasin për gërmimin e armëve”.
“Ata e konsiderojnë anëtarësimin në NATO një gabim strategjik, ashtu si dhe pavarësinë e Malit të Zi”, thuhet në mes tjerash në përgjigjen e Koalicionit Shqiptar.
Në anën tjetër, Partia boshnjake pati filluar bisedimet me mandatarin Krivokapic në një takim para disa ditësh, por dje Këshilli qendrorë i Partisë boshnjake vendosi që ata mos të jenë pjesë e qeverisë së re.
Ndërkaq Lista Shqiptare (Forca-ASH-LDSH-Unioni për Tuz) është i vetmi subjekt i cili është në bisedime me mandatarin dhe përfaqësuesin e tre koalicioneve fituese të zgjedhjeve, Zdravko Krivokapic.
Nga ky koalicion para disa ditëve kanë deklaruar se ata mund të jenë pjesë e qeverisë së re, nëse do të pranohen kërkesat e tyre.