Një vit pas zgjedhjeve të 6 tetorit, disponimi i votuesve ka lëvizur ndjeshëm. Sondazhi më i ri është bërë nga njëra prej ambasadave perëndimore në Prishtinë, e njohur për redaksinë.
Rezultatet janë mësuar para pak ditësh, por nuk janë bërë publike. Megjithatë, Syri.net ka arritur t’i mësojë disa prej të dhënave që kanë dalë nga ky anketim i opinionit publik.
Në vendin e parë sipas sondazhit, renditet sërish Lëvizja Vetëvendosje, por kësaj radhe me një diferencë të thellë nga rivalët e saj. Nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani, për partinë e ish-kryeministrit Abin Kurti do të votonin rreth 48 për qind e votuesve.
Dy partitë që kanë udhëhequr Kosovën gjatë këtyre dy dekadave, PDK e LDK, rezultojnë me një mbështetje të dobët elektorale.
Syri.net ka mësuar se Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike, po të mbaheshin zgjedhjet sot, e kalojnë 20 përqindshin, ndërsa mbetet një diferencë e vogël në mes tyre. Edhe pse LDK-ja është kritikuar për rënien e qeverisë në mes të pandemisë, partia e Isa Mustafës, gjithnjë sipas sondazhit në fjalë, e ruan vendin e dytë.
PDK-ja, që herë bëhet si opozitë, por më tepër shihet si me një këmbë në qeveri, mbetet e treta, duke mos arritur ta përmirësojë pozitën e saj, që nga zgjedhjet e 6 tetorit.
Sondazhi nuk ka lajme të mira as për subjektin e drejtuar nga Ramush Haradinaj, kandidati presidencial i AAK-së. Rreth 7 për qind është mbështetja për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, bazuar në të dhënat e anketimit.
Për partitë e vogla që mezi e kaluan pragun në koalicion së bashku, Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt dhe AKR-në e Behxhet Pacollit, gjërat janë edhe më keq. Sipas sondazhit, ato nuk do të arrinin të hynin në Kuvend.
Rezultatet e këtij sondazhi favorizojnë dukshëm VV-në, e cila po bën presion për zgjedhje të reja. Ndërkohë, partive të tjera nuk u intereson tani të shkojnë drejt kutive të votimit, sepse debakli do të ishte i rëndë. Por, në rast se nuk ka një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, që duhet të zgjedhet vitin e ardhshëm, zgjedhjet do të bëhen të pashmangshme.
Çelësi, duket se është në dorën e Ramush Haradinajt. Nëse partnerët qeverisës dhe PDK-ja, nuk pajtohen me kandidaturën e tij dhe lideri i AAK-së, refuzon një zgjidhje tjetër, Kosova pashmangshëm shkon në zgjedhje të reja. /Syri.net