Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin deklaroi se “Ne kemi përgjegjësi ndaj Armenisë në kuadër të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO). Por, konflikti nuk zhvillohet në territorin e Armenisë”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për “Rossiya 24”, kanali shtetëror rus, Putin foli për konfliktin që ka filluar në rajonin e Malësisë së Karabakut të Azerbajxhanit për shkak të sulmeve të Armenisë.
Putin mbrojti idenë e tij se ngjarjet në Karabak janë një “tragjedi”.
“Jemi shumë të shqetësuar sepse të gjithë njerëzit që jetojnë në Azerbajxhan, Armeni dhe në Malësinë e Karabakut nuk janë të huaj për ne. Në Rusi jetojnë rreth 2 milionë azerbajxhanas dhe më shumë se kaq armenë. Shumë shtetas rusë vazhdojnë marrëdhëniet miqësore dhe farefisnore me këto vende. Sigurisht që kjo është një tragjedi e madhe. Po vdesin njerëz. Ka humbje të mëdha nga të dyja palët”, tha Putin.
Pasi bëri të ditur se shpresojnë që konflikti të përfundojnë së shpejti, Putin tha se “Ne bëjmë thirrje për sigurimin e armëpushimit sa më shpejtë të jetë e mundur”.
Ai rikujtoi se Armenia është anëtare e Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive. “Në kuadër të kësaj marrëveshjeje ne kemi përgjegjësi të caktuara ndaj Armenisë. Por, konflikti nuk zhvillohet në territorin e Armenisë. Rusia përmbush gjithmonë përgjegjësitë e saj në kuadër të marrëveshjes. Jam në kontakt të vazhdueshëm me kryeministrin armen Nikol Pashinyan. Nuk ka asnjë pikëpyetje lidhur me zbatimin e pëgjegjësive që Rusia ka si një aleate”, tha Putin.